E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në mbrëmje, Gjermani-Greqi. Lëv: Dua një sulm "vrasës"

TIRANE-Gjermania do të për ballet me Greqinë të premten në mbrëmje, në ndeshje që në vendin helen ka marrë përmasat e një sfide të gjithanshme. Por, trajneri Joakim Lëv ka kërkuar nga skuadra e tij që të jetë letale përpara portës, pasi Greqia nuk do të lejojë shumë shanse.

Duke folur para gazetarëve në Gdansk, tekniku gjerman u shpreh se do të ishte një gabim i madh nëse skuadra e tij e nënvlerëson ekipin helen. "Jemi në gjendje të mirë, por do të jetë një ndeshje e vështirë, - deklaroi Lëv.- Ata mbrohen mirë dhe janë shumë të rrezikshëm në kundërsulm". Lëv u kujtoi futbollistëve të tij vështirësitë e hasura në ndeshjen me Danimarkën, ku ekipi nuk u duk 100 % i motivuar. "Nuk jemi ndeshur asn-jëherë me Greqinë, por e di se kjo skuadër do të na hapë shumë probleme. Edhe pse jemi favoritë, nuk do të thotë se jemi që tani të kualifikuar, pasi mbrojtja e tyre është vërtetë e fortë, siç ishte në 2004-tën", shtoi tekniku i Gjermanisë. Në lidhje me mungesën e Karagunis, Lëv deklaroi se kushdo që do të luajë në vend të tij do të jetë super i motivuar.

Ndeshja me Rusinë u ka mësuar gjermanëve se të nënvlerësosh një skuadër si ajo helene, është një gabim i rëndë, pasi grekëve u mjaftoi vetëm një rast për të fituar atë sfidë. Gjithsesi, Joakim Lëv u beson shumë futbollistëve të tij. "Nëse luajmë siç dimë, duke shfrytëzuar cilësitë tona, atëherë jemi mjaftueshëm të fortë për të mundur Greqinë. Por, duhet ta shohim nga vetja dhe jo nga kundërshtarët", deklaroi ai. Takimi i sotëm do të gjykohet nga slloveni Damir Skomina.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Santos, një inxhinier "frikëson" gjermanët

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›