Eksportet ‘Made in Albania’ 1.4mld euro në 11 muaj
Eksportet shqiptare në fund të 11-mujorit arritën në 180 miliardë lekë. Të dhënat nga administrata doganore flasin për rritje të eksporteve të prodhimit vendas me 33.4mld lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Arkës së shtetit i vijnë në ndihmë të ardhurat nga doganat. Pavarësisht krizës në vendet e BE-së, me të cilat Shqipëria ka të zhvilluar tregtinë e jashtme, prodhimet shqiptare vazhdojnë të preferohen dhe kërkohen nga vendet fqinjë dhe nga të gjitha ato vende me të cilat ne zhvillojmë tregtinë. Nga eksportet shqiptare ekonomia e vendit ka përfituar 180 miliardë lekë ose 1.4 miliardë euro për 11-mujorin e 2011-ës ose 33. 4mld lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave rezulton se eksportet shqiptare gjatë 11-mujorit të vitit 2011 kanë rritje si në sasi ashtu edhe në vlerë, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2010. Kjo tregon që pavarësisht krizës në eurozonë, tregtia me vendet e BE-së po shkon mirë dhe produktet shqiptare vazhdojnë të preferohen. Sipas raportit të doganave për 11-mujorin, volumi i eksporteve shqiptare për këtë periudhë në sasi ka qenë 2853.9 mijë tonë nga 2177.5 mijë tonë të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 676.4 mijë tonë ose 31.1% më shumë. Si vlerë, prodhimet shqiptare që janë eksportuar për tregti jashtë kufijve gjatë 11-mujorit të vitit 2011 janë realizuar 87.9mld lekë me një rritje prej 19.9mld lekë ose 29.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku u realizua një vlerë prej 68mld lekë eksporte. Përsa i përket rieksporteve nga përpunimi aktiv, ku hyjnë biznese si fasonet etj. gjatë 11-mujorit të vitit 2011 kanë shënuar gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me vitin 2010. Për periudhën 11-mujore të llogaritur, volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv është në sasinë 260.8 mijë tonë, nga 240.9 mijë tonë të realizuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 19.9 mijë ton ose 8.3% më shumë. E llogaritur si vlerë, rieksportet nga përpunimi aktiv gjatë vitit 2011 janë realizuar 92mld lekë, me një rritje prej 13.5mld lekë ose 17.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku u realizua një vlerë prej 78.5mld lekë eksporte. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë për rritje të eksporteve të produkteve shqiptare edhe gjatë muajit nëntor 2011 si në sasi ashtu edhe në vlerë, krahasuar me muajin nëntor të vitit 2010. Për muajin që sapo lamë pas, të dhënat e doganave tregojnë se janë 331.2 mijë tonë të realizuara nga 232.9 mijë tonë të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 98.3 mijë tonë ose 42.2% më shumë. Ndërsa si Vlerë të eksporteve shqiptare gjatë muajit nëntor 2011 janë regjistruar 9.05mld lekë me një rritje prej 3mld lekë ose 49.6% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku u realizua një vlerë prej 6.05mld lekë eksporte. Duke i hedhur një vështrim të dhënave të doganave të muajve paraardhës për vitin 2011, rezulton se eksportet shqiptare kanë patur tendencë rritëse muaj pas muaji. Gjatë muajit tetor u arkëtuan në buxhetin e shtetit 11.34 miliardë lekë, nga 11.27 miliardë të planifikuara, ose 100 milionë lekë më shumë. Rezultatet pozitive për muajin tetor i dedikohen rritjes së eksporteve, pasi gjatë këtij muaji eksportet kanë pësuar rritje si në sasi e vlerë, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2010. Sipas zërave të të ardhurave që mbledhin doganat, ra në sy performanca e rentës minerare në eksport, që është rritur mbi baza vjetore me rreth 70.9 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes se eksporteve të burimeve natyrore si dhe ndryshimeve në normën e taksimit dhe në strukturën e taksës gjatë gjysmës së parë të vitit 2010.