Leka Zogu II, mbret brenda 10 ditëve
Brenda 10 ditësh nga vdekja e të atit, Princi Leka, trashëgimtari legjitim i fronit mbretëror duhet të organizojë një ceremoni ku ta shpallë veten zyrtarisht “Mbret të Shqiptarëve”. Burime nga Familja Mbretërore thonë se për trashëgiminë mbretërore do të zbatohet Kushtetuta e Monarkisë. Në nenin 51 të saj thuhet se “trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”, ndërsa në nenin 58 përcaktohet afati kohor brenda 10 ditësh. Sipas Statutit themeltar të Mbretërisë Shqiptare, Leka Zogu II duhet të bëjë betimin: “Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.