E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektbuxheti 2012 merr vetëm votat e mazhorancës. Opozita: ulni TVSH-në

Opozita i vendos kusht mazhorancës: votojmë projektbuxhetin të hënën në seancë, ulni TVSH-në dhe aplikoni taksën progresive. Maxhoranca ka hedhur poshtë kërkesat e opozitës dhe ka miratuar e vetme projektbuxhetin e 2012-ës, nen për nen në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Sabina Veizaj

Projektbuxheti 2012 merr miratimin vetëm nga deputetët e mazhorancës në Kuvend para seancës plenare të së hënës. Në një mbledhje jashtë radhe, pavarësisht ditës së zisë kombëtare, komisioni kuvendor i Ekonomisë dhe Financave është mbledhur dje për të votuar nen për nen projektbuxhetin e vitit 2012. Deputetët e shumicës e miratuan të vetëm këtë projektbuxhet, me disa ndryshime në fonde për pushtetin gjyqësor që i akordohen shkollës së magjistraturës dhe gjithashtu u miratua edhe kërkesa e Ministrisë së Arsimit. Ashtu si edhe në mbledhjet e tjera të komisionit, opozita ngriti zërin për kërkesat e saj, që sipas opozitës janë në ndihmë të familjeve të varfra. Deputetët e opozitës deklaruan dje në komision se janë të gatshëm të votojnë projektbuxhetin 2012 të hënën në seancë plenare, nëqoftëse do të merren parasysh kërkesat e propozuara prej tyre, si ulja e TVSH-së për disa nga produktet ushqimore dhe aplikimi i taksës progresive. Paketa e propozimeve të opozitës, e cila parashikon uljen ose heqjen e TVSH-së për disa artikuj bazë ushqimorë, heqjen e TVSH-së për ilaçet, si dhe vendosjen e tatimit progresiv u kundërshtua dhe u hodh poshtë nga mazhoranca, duke u cilësuar si kërkesa për show mediatik. Sipas deputetit demokrat Sherefedin Shehu, kërkesat imediate të opozitës kërkojnë ndryshime në ligj dhe nuk kanë të bëjnë me projektbuxhetin e vitit 2012. Ndërsa qeveria ka parashikuar të bëjë reformë përsa i përket TVSH-së vitin e ardhshëm, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, ashtu si inicioi reformën për akcizën. Projektbuxheti i vitit 2012 ka një total prej 390 miliardë lekësh të programuara. Nga totali prej 394 miliardë lekësh, 353 miliardë lekë do të merren nga të ardhurat tatimore dhe të tjera, ndërsa 41 miliardë lekë do të financohen me borxh të ri, ose, siç njihet ndryshe, deficiti buxhetor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›