Kriza në eurozonë forcon monedhën kombëtare lek
Monedha kombëtare lek po njeh një vlerësim historik në tregun e këmbimit valutor vendas. Kriza në eurozonë, e cila ka sjellë zhvlerësimin e monedhës së përbashkët europiane, gjithashtu edhe masat e ndërmarra nga Banka Federale Amerikane për uljen e normës bazë të interesit me 0,5% për likuiditet në treg, kanë ndikuar që në tregun e brendshëm valutor monedha lek të vlerësohet ndaj euros dhe dollarit amerikan. Nga një vëzhgim në agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet, ditën e djeshme është vënë re se një euro është blerë me 137, 8 dhe është shitur me 138, 1. Ndërsa një dollar amerikan në tregun e lirë të këmbimit valutor është tregtuar me 102 lekë. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, sipas kursit të saj të këmbimit, një euro është tregtuar me 138, 2 lekë dhe një dollar amerikan është tregtuar me 102, 2 lekë. Forcimi historik i monedhës kombëtare lek ka nxitur njerëzit të këmbejnë rezervat e tyre valutore, si pasojë e frikës psikologjike për një falimentim të mundshëm të monedhës së përbashkët europiane.