Eksportet, rënie me 7% gjatë 11-mujorit

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Aktiviteti tregtar në vend u ngadalësua gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti.
Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), për tregtinë e jashtme eksportet e mallrave gjatë 11-mujorit arritën 319 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 7%, ndërsa importet u ulën me 1%, duke arritur 807 miliardë lekë.
Deficiti tregtar për periudhën janar-nëntor ishte 488 miliardë lekë, duke u rritur me 3,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndikimin kryesor në uljen e eksporteve e dha grupi i materialeve të ndërtimit dhe metale me 5%, pasuar nga grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike me 1,6, ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet ushqime, pije, duhan me 0,8% dhe makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi me 0,6.
Gjatë njëmbëdhjetëmujorit, importet nga Italia u ulën me 1,8%, nga Turqia me 12,5% dhe Gjermania me 6,2%, ndërsa rritje shënuan importet nga Kina me 22,6%, Greqia me 3,5% dhe Kosova me 2,2%. /j.p/r.e/