E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksportet shqiptare vijojne rritjen

Vijon rritja e eksporteve shqiptare drejt vendeve te huaja. Edhe në muajin shtator nga Shqipëria janë eksportuar 18,9 miliardë lekë mallra me një rritje prej 8,6% krahasuar me muajin gusht. Të dhënat janë bërë publike nga zyra kombëtare e statistikave, sipas të cilës rritja e eksporteve është edhe më e lartë  me 11,4% e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu INSTAT bën me dije se edhe zëri i importeve ka shënuar rritje gjatë muajit shtator. Janë importuar gjithsej 46,5 miliardë lekë mallra me një rritje prej 8,1% krahasuar me muajin gusht të këtij viti. Kjo ka bërë që në muajin shtator deficiti tregtar të shkojë në rënie me 2,4% duke arritur vlerën e 27,6 miliardëve lekë. Pjesën më të madhe të tregtisë shqiptare e zënë vendet e BE me 63,4%.  Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Tregtia me Italinë është 34.4 për qind, ndërsa me Greqinë është 7.1 për qind. Në detaj sipas të dhënave të INSTAT rritjen më të madhe në eksport, gjatë muajit shtator e ka pasur grupi "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi", me 68.5 për qind. Po ashtu, një rritje të lartë ka pësuar edhe grupi "Tekstile dhe këpucë", me 47.4 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT, ka pësuar një ulje eksporti i grupit "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me 15.8 për qind. Përsa u përket importeve në muajin shtator mallrat e akcizës kanë zënë 16,5% të totalit të importeve në vlerën e 7.7 miliardëve lekë. Krahasuar me muajin gusht, importi i këtyre mallrave ka patur ulje 22.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›