E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te ulen taksat per te nxitur rritjen

Një nga vendet e prekura nga kriza ekonomike dhe financiare në Eurozonë është edhe Italia, të cilës i duhet të kryej një sërë reformash për të korrigjuar nivelin e lartë të borxhit publik. Një nga objektivat emergjente të qeverisë Monti mbi të cilat duhet të mbështetet qëndrueshmëria e borxhit publik dhe raporti me investitorët ndërkombëtarë është ai i reformave strukturore dhe politikat për rritjen ekonomike. Në diskutimin e këtyre  reformave në parlamentin italian Banka Qëndrore e Italisë e ka këshilluar qeverinë të ulë taksat si një nga mënyrat më të mira për të arritur këto objektiva dhe për të përballuar krizën ekonomike. Sipas drejtuesve të Bankitalia rritja mund të arrihet vetëm përmes uljes së presionit fiskal mbi të gjithë taksapaguesit, kjo falë edhe një veprimi të fortë kundër evazionit fiskal, duke rishikuar sistemin tatimor dhe duke rritur eficencën në produktivitetin e shërbimeve publike. Për Bankitalia do të ishte më mirë një sistem taksimi me nivele më të ulëta taksash, me përfitime më të pakta por të thjeshta pasi do të reduktojë evazionin, do të rrisë transparencën dhe do të stimulojë zhvillimin ekonomik. Gjithashtu BQI është e shqetësuar edhe mbi evazionin fiskal të krijuar nga TVSH e cila mbetet shumë e lartë. Të rrisësh peshën e kësaj takse mbi totalin e të ardhurave do të kërkonte një fuqizim  të veprimit kundër evazionit raporton Bankitalia.   Kriza ekonomike në vendet e Eurozonës po shton edhe më tej reflektimet mbi shkaqet e saj, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me reformat e ndërmarra nga qeveritë kombëtare. Shumë vende tashmë shohin si mënyrën më të mirë për të përballuar krizën dhe efektet e saj uljen e taksave, apo e thënë ndryshme shmangien e taksave progresive të cilat kanë dëmtuar biznesin dhe individët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›