Ekspozita e kartolinave publicitare

Në Galerinë e Arteve është çelur një ekspozitë mjaft interesante. “Ide të freskëta-smart card revolucion” quhet ekspozita ndërkombtare e kartolinave publicitare e cila sillet për herë të parë në Shqipëri. Unike në llojin e saj dhe pas një debuti të sukseshëm në Telaviv e më pas në Paris ajo vjen në Shqipëri për të sjellë idetë, konceptet, dizajnet dhe teknikat e realizimit më inovative dhe me impakt në botë. Kartolina publicitare, një mjet komunikimi prej më shumë se njëqind vitesh e cila në tre dekadat e fundit është një realitet, një mjet komunikimi urban i jetës së qyteteve dhe kryeqyteteve kryesore të botës, e mirënjohur në Shqipëri si “Mania Card” tërheq kështu vëmendjen e botës publicitare, kompanive të ndryshme, institucioneve publike dhe private, publikut të thjeshtë dhe atij artdashës. Do kemi kështu mundësinë që të admirojmë nga afër kulturën dhe stilet publicitare të vendeve të ndryshme të botës, ta krahasojmë atë me kulturën dhe stilin tonë, të frymëzohemi e të zbavitemi në të njëjtën kohë me idetë gjeniale që kanë tërhequr vëmendjen e publikut mbarë botëror. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 15 shkurt.