E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozita

Artistët më të kërkuar në botë ekspozojnë në Vlorë

Galeria “Promenadë” në Vlorë ka hapur dyert për një grup artistësh më të kërkuar sot në botë, si Anri Sala, Bruno Muzzolini, Artan Shabani dhe Fani Zguro, artistë bashkëkohorë që janë mbledhur me veprat e tyre në Vlorë nën logon “Peizazhe të humbura”. Anri Sala vjen në këtë ekspozitë me një video që paraqet një pjesë teatrore, ku aktori lëviz nga kuzhina në një dhomë pritjeje me qepen, ku edhe pse nuk ka mure apo kufij të dukshëm, aktori lëviz në hapësira të ndryshme. Artan Shabani prezantohet me fotografi që përfaqëson një fushë të artë, një peizazh ndjekur nga procesi i rigjenerimit të njeriut. Një metaforë e territorit tonë që vazhdon të ndryshojë. Fani Zguro prezantohet me një video që paraqet xhirimet e artistit, ku ai operon dhe riciklon tregime nga vende të tjera analoge.

Përmeti dhe Isufi sjellin ekspozitën “Odiseja ime”

Një ekspozitë mjaft interesante ka bërë bashkë pedagogët e grafikës të Akademisë së Arteve, Adrian Isufi, Alban Bogdani, Genc Përmeti, Ilir Butka, Ilir Kasmi, Leart Oseku dhe Oert Mizini. Artistët, nën titullin “Odiseja ime, Arti në Mit”, kanë çelur një ekspozitë ku pasqyrohen punët në gjininë multimedia, mes videos dhe projeksionit. Kurimi i kësaj ekspozite mjaft interesante është realizuar nga Genc Përmeti dhe Adrian Isufi. “Odiseja” në ekspozitë prezanton një grup artistësh të njohur të artit pamor. Kjo ekspozitë përmban punime të artit bashkëkohor.

Pashk Përvathi sjell vjeshtën në 35 vepra

Piktori i peizazheve, Pashk Përvathi ka sjellë vjeshtën në galerinë “Kledio” përmes 35 pikturave. Në dallim me krijimet e mëparshme, veprat kanë më shumë ekspresivitet dhe larmi koloristike. Edhe në këtë ekspozitë, një vend të veçante zënë peizazhet nga Polena dhe Vithkuqi i Korçës. Duket se për autorin kjo vjeshtë është mbresëlënëse, pasi prej pesë vitesh eksploron këtë natyrë. Gjithashtu, një cikël më vete janë edhe punimet nga Valbona. Pashk Përvathi vjen për të tretin vit radhazi për të ekspozuar punimet e vjeshtës së artë, ku nuk kanë munguar artdashës dhe ambasadorët e Holandës dhe Austrisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›