E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erotizmi i kamufluar në letërsinë shqipe

U zhvillua dje Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë “Erotizmi në Letërsinë shqiptare”, organizuar nga Departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës

Erotizmi i kamufluar në letërsinë shqipe

Në Shqipëri nuk ka pasur kurrë një letërsi të mirëfilltë erotike, por vargje të kamufluara me erotizëm”, - do të shprehej Sabri Hamiti në konferencën e parë shkencore ndërkombëtare me temë “Erotizmi në Letërsinë shqiptare”, që u zhvillua dje në Akademinë e Shkencave, organizuar nga departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Studiues nga Kosova, Shqipëria dhe nga Universiteti “La Sapienza” (Itali), mbajtën kumtesa për autorët shqiptarë që kanë lëvruar erotizmin si metaforë. “Ne nuk kemi pasur kurrë një letërsi të mirëfilltë erotike, por vargje të kamufluara me erotizëm që nga Koliqi, Anton Pashku, Jeronin De Rada, Mitrush Kuteli etj. Është e vërtetë që letërsia shqipe ende nuk ka krijuar figura letrare të diskursit të dashurisë ose mite letrare si Helena, Beatriçja, apo Don Zhuani. Megjithatë, në letërsinë shqipe ekzistojnë figura letrare erotike që pretendojnë të bëhen mite të erotizmit”, - u shpreh ndër të tjera akademiku Sabri Hamiti. Lirika erotike në letërsinë shqipe zë fill me ciklin poetik “Bukuria” të Naimit, që është njëkohësisht kryevepra e tij dhe një nga perlat më të bukura të poezisë shqipe të dashurisë. Edhe pse e kamufluar, lirikën erotike e kanë pasuar edhe gjatë realizmit socialist Lasgush Poradeci, Kasem Trebeshina, Frederik Reshpja etj, edhe pse figura e dashurisë ishte tabu në atë periudhë. “Periudha më kastiguese e letërsisë shqipe është ajo e realizmit socialist, e cila nuk vjen e vetme, por si një kurorëzim i moralitetit, ndonjëherë edhe fals, që ekzistonte në letërsinë shqipe të kornizuar të realizimit socialist. Kjo lloj letërsie konsumi nuk meriton të quhet letërsi”, - shprehet studiuesja Dhurata Shehri. Migjeni dhe Lagush Poradeci u cilësuan si dualiteti që i jep thelbin erotikës në letrat shqipe. Sidomos Migjeni, poeti i nëntekstit të erosit në letrat shqipe, ishte pjesë e diskutimeve të shumë studiuesve në kumtesat e tyre. “Migjeni është unik dhe ndërtues i skandalozes edhe në dy nga temat më të heshtura të letrave shqipe: tabuja e incestit dhe e homoseksualitetit. Në tekstin “Pak poezi”, makthi erotik, i ndërdyzuar mes sensualizmit, dashurisë, etjes seksuale dhe vetëdijes imorale, krijon një nga tablotë e papërsëritura, madje më tej, të pështjellimit të erosit në jetët unike dhe në trupat unikë të individëve të jashtësuar kolektivitetit, të jashtësuar tabuve”, - shkruan në kumtesën e saj “Migjeni: eros dhe skandal”, studiuesja Persida Asllani. Në konferencën që zgjati gjatë gjithë ditës së djeshme ishin të shumta kumtesat që në thelb kishin erotizmin në letërsinë shqiptare. Autorët e trajtuar ishin të shumtë, që nga Naimi, Migjeni, Koliqi, Kuteli, Poradeci, Sterio Spase, Frederik Reshpja, Kasem Trebeshina, Martin Camaj, Arshi Pipa e deri tek Visar Zhiti, Fatos Lubonja e Besnik Mustafaj, por nuk i shpëtuan kësaj përsiatjeje edhe autorët klerikë të letërsisë shqipe. Kumtesat hapën një diskurs të gjerë mbi erotikën e lëvruar në letërsinë e djeshme dhe të sotme shqipe. Tematikat e trajtuara ishin të shumta si:“Figura e dashurisë” nga akademik Sabri Hamiti; “Erotizmi, përvojat e shkrimtarisë sonë” nga studiuesi Mehmet Kraja; “Erotika incestuale dhe neurotizmi migjenian në novelën Studenti në shtëpi” nga studiuesit Ymer Çiraku dhe Gentian Vyshka; “Migjeni: eros dhe skandal” nga Persida Asllani; “Romani Pse? Ose erotizëm i estetizuar” nga Dhurata Shehri; “Kleri dhe erosi” nga Lili Sula etj. Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›