E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë vetjake e piktorit Zef Shoshi në GKA

Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë,  në sallën e saj të ekspozitave, përuron sot në ora 18.00  ekspozitën vetjake të piktorit Zef Shoshi Artist i Merituar.  Piktori Shoshi është një artist  i njohur për publikun shqiptar. Ai është pjesë e piktorëve të njohur të realizmit socialist: Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Ksenofon Dilo, Vilson Kilica, Guri Madhi, Fatmir Haxhiu,

Danish Jukniu, Ismail Lulani etj. Shoshi ka kryer Liceun Artistik Jordan Misja,Tiranë (1952-1956) në klasën e piktorëve Sadik Kaceli, Abdulla Cangonji dhe Kel Kodheli, ndërsa  studimet e larta i kreu në Shën Petërburg (1957-1961) në atelienë e Prof. Joganson në atë kohë President i Akademisë së Arteve (Moskë). Pas studimeve Shoshi e mbrojti diplomën në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, punoi si ilustrator për disa vjet në shtëpinë botuese Naim Frashëri dhe 8 Nëntori (1965-1974) dhe gjatë viteve 1974-1993 ishte piktor në profesion të lirë. Ekspozon për herë të parë në publik në vitin 1956 me tri punime, ndër të cilat edhe portreti Gjyshja, (GKA, Tiranë). Në vazhdimësi ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare me tablo kompozicionale brenda tematikes së realizmit socialist. Ndër tablotë e njohura të kësaj periudhe mund të kujtojmë Krijimi kooperativës në malësi (1974), Gju më gju me popullin (1976), etj. Piktori Shoshi ka trajtuar edhe portretin kushtuar figurave politike, historike, të familjareve të tij, të kulturës shqiptare dhe njerëzve të thjeshtë. Ekspozita që do të hapet sot do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 9 prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›