Ekspozohen pikturat e fshehura të Guri Madhit

Piktori Guri Madhi
Edhe fshehjen ai e kishte bërë si një artist. Nuk kishte dashur t’i fuste skutave apo t’i shkatërronte, por t’i linte tablo.Gjatë pastrimit, të bijtë zbuluan se pas pikturave fshiheshin të tjera vepra, nga ato “të ndaluarat”, që në diktaturë dënoheshin me burg. U bënë 90 vjet nga lindja dhe 23 nga vdekja e piktorit të Popullit Guri Madhi. Me këtë rast, Tirana Business University dhe European Forum Al bënë të mundur hapjen e një ekspozite me 30 vepra të panjohura të piktorit, si edhe një simpozium nën titullin “Guri Madhi dhe Arti Modern”, ku referuan specialistë të fushës, si Gjergji Lako, Abaz Hado dhe Fate Velaj. Për administratorin e Tirana Business University, Enea Janko, mbështetja e artit është një filozofi. “Guri Madhi është pa dyshim një nga vlerat më të mëdha që ka Shqipëria në artet pamore. Është në filozofinë e Universitetit tonë që biznesi duhet të ketë edhe shpirt dhe, shpirti, më shumë se tek arti, nuk shprehet asgjëkund. Sipas konceptit tonë, biznesi nuk duhet të udhëhiqet nga fitimi momental, por edhe nga qytetaria, duke ndarë vlerat e tyre edhe me komunitetin”, thotë Janko, duke shtuar se këtë koncept po mundohen t’ua injektojnë edhe studentëve, që nesër do të jetë menaxherët dhe liderët e rinj. Por, më shumë se specialistët dhe organizatorët, ata që e përjetojnë më së brendshmi këtë ditë, janë familjarët e tij. Njëri prej djemve, Pandi, na tregon për pikturat e paekspozuara më parë, si i gjetën, por edhe për jetën e të atit, ashtu si e kujton ai.
Mbushen 90 vjet nga lindja e piktorit Guri Madhi, babait tuaj, si keni menduar ta përkujtoni këtë ditë?

Tre piktura të paekspozuara të Guri Madhit
Guri Madhi ka jetuar artistikisht nga viti ’45 në ’88 dhe nuk pati fatin e mirë si shumë kolegë të tij që të jetonte në një periudhë të lirë, kur çdo artist punon atë që dëshiron. Me këtë ekspozitë ne duam të dëshmojmë se megjithëse në diktaturë, Guri Madhi ka bërë atë që kritikët e artit e quajnë pikturë për veten. Që në vitet ’60, ai ka krijuar piktura abstrakte me dimensione të mëdha e vlera më e madhe është që ai i ruajti këto dhe nuk i shkatërroi, siç mund të kenë bërë kolegë të tij, nga frika dhe arsye nga më të ndryshmet, prej të cilave mund të përfundoje fare thjesht në burg. Në gjithë karrierën e tij si piktor, është munduar të ndjekë gjurmët e artit bashkëkohor dhe këtë duam të dëshmojmë në këtë ekspozitë. Janë përpjekjet e tij dhe vlerat nga viti ’55 deri në 1988, me rreth 30 piktura të paekspozuara, përzgjedhur në një koleksion prej 400 pikturash.
Këto janë punë të papublikuara më parë, si janë ruajtur?
Shumë prej tyre ishin të fshehura. Një pjesë e mirë e pikturave të paraqitura në këtë ekspozitë gjendeshin pas pikturash të tjera. Një tablo kishte pikturë në të dyja anët. Ne gjithnjë shikonim vetëm njërën anë. Edhe ajo ishte moderne, por pjesa e pasme është konsideruar abstraksioniste nga gjithë kritikët. Kjo ka ngjallur një interes shumë të madh. Një nga ato i përket vitit 1960 dhe supozohet se është një ide e tij për një pikturë të përmasave të mëdha “Gratë e Kurveleshit që hidhen nga shkëmbi”, që është sot në Galerinë Kombëtare. Por kjo është një hipotezë. Tanimë ne ndodhemi para një fakti, që ai ka eksperimentuar dhe ka realizuar edhe pikturë abstrakte.
Si i zbuluat?
I kemi zbuluar krejt rastësisht duke kryer rutinën e zakonshme të pastrimit. Për ne kishte një vlerë të veçantë, pasi dëshmojnë që edhe në diktaturë, artistët e vërtetë ditën të realizonin ëndrrën e tyre, sigurisht jo ashtu si ata dëshironin, por gjithsesi kanë bërë përpjekje. Im atë ka pasur një jetë shumë të vështirë dhe ka qenë një nga piktorët që është sulmuar në jetën e tij, për arsye të pikëpamjeve të tij, të artit që realizonte. Më kujtohet një ekspozitë e vitit 1987, të cilën Galeria e Arteve nuk ia pranoi, megjithëse bëhej fjalë për një piktor të njohur, Artist i Popullit. E hapi në Pallatin e Kulturës, por edhe atje me shumë peripeci. U mblodhën
20 komisione qeveritare, derisa e lejuan. I dhanë autorizimin, pasi i hoqën shumë nga pikturat që ai donte të ekspozonte.
Megjithatë ai ka realizuar edhe vepra tipike të realizimit socialist…
Të mos harrojmë që ajo periudhë ka pasur rregulla shumë të forta të realizimit socialist. Ai ka bërë piktura me porosi, sepse ishte i detyruar, siç ka bërë “Mbledhjen e Moskës”, “Reformën agrare” e shumë të tjera…, të cilat kanë ngjallur interes, pavarësisht temave. Kjo për shkak edhe të mënyrës së paraqitjes, kompozicionit.
Të ndalemi pak tek “Mbledhja e 81 partive”, si e realizoi atë dhe si ka reaguar ndaj ndryshimeve që iu bënë më pas?
Ka qenë një periudhë shumë e rëndë, sepse nuk bëhej shaka me tema të tilla, sidomos kur bëhej fjalë për mbledhjen e 81 partive.
Piktura është realizuar në vitin 1974, që përkonte me përurimin e ndërtesës së re të Galerisë së Arteve. Kishte shumë ngarkesë pune. Në shtëpi vinin dhjetëra komisione që e panë dhe aprovuan. Babai paraqiti disa variante, prej të cilave u pranua ai mbi të cilin u bë piktura. Gjatë punës, vinin dhe e shihnin vazhdimisht. Edhe në atë pikturë u përpoq të thyente ca rregulla të realizmit socialist, sidomos në portretin e Enver Hoxhës, të cilin ai e realizoi sipas stilit të tij, pa detaje, me penelata të gjera dhe pati shumë probleme me komisionin. Ata e detyruan të bënte ndryshime dhe, siç mund ta dini, portretin e Enver Hoxhës e ka realizuar Zef Shoshi, më pas u hoq delegacioni kinez, ndërsa në ’82-shin i kërkuan të hiqte Mehmet Shehun dhe ai nuk pranoi, sepse sipas tij kjo heqje shkatërronte gjithë pikturën. Heqja e delegacionit kinez nuk prishte shumë punë, sepse ishte në anë të delegacionit shqiptar, kurse heqja e Mehmet Shehut do e shkatërronte atë. Kjo çoi në heqjen e pikturës nga qarkullimi.
Përmendët ekspozitën e ’87-s, ka pasur të tjera përplasje, apo raste mohimesh?
Përplasjet filluan qysh me ardhjen e tij, në vitin 1956, kur u kthye nga shkolla. Ai erdhi me shumë energji e me një bagazh shumë të madh nga shkolla dhe realizoi disa vepra shumë të mira, si “Turqit dorëzojnë armët”, “Takimi i parë i Pezës”, “Demonstrata e Korçës” apo peizazhe e natyra të qeta, të cilat sollën një revolucion në pikturën shqiptare, çka e bëri gjatë gjithë jetës së tij. Karakteristike ishte që ai nuk i mbeti besnik stilit të tij deri në fund të jetës, por ndryshoi periudhë pas periudhe dhe kritikët e ndajnë në tri periudha jetën artistike të tij: në periudhën e pas shkollës, ku ndihen ndikimet impresioniste, të cilat vazhdojnë deri në vitet ’65-’66, ka një periudhë kur ai ndikohet nga piktorët surrealistë, pastaj kemi periudhën e tretë që ai kalon në pikturën ekspresioniste dhe abstrakte, nga viti ’80-’88. Në këtë periudhë pëlqente shumë Pikason, Kandinskin, Matisin apo Eduart Mynch. Por, megjithatë ai mbeti Guri Madhi.
Ç’ju kujtohet prej tij, si punonte?
Ai punonte vetëm kur ishte i frymëzuar. Mund të rrinte edhe me javë pa punuar. Lexonte shumë, e njihte shumë mirë muzikën, qoftë atë klasike apo moderne. Ishte i pari që më injektoi dashurinë për Adriano Çelentanon, Demis Rusos apo “ABBA”-t. Njihte disa gjuhë të huaja. Arsimimin e kishte marrë shumë të fortë, plot 6 vjet akademi. Për ne ishte shembulli i përkryer i prindit artist.
Ndodh që prindërit i drejtojnë fëmijët drejt profesionit të tyre, ju ka shtyrë babai drejt pikturës?
Ai nuk e bëri kurrë këtë me ne, me të dy djemtë e tij. Nuk na kushtëzoi, por na la të lirë. Duke parë edhe jetën e tij të vështirë, na thoshte se “nëse ju do të ishit talente të mëdha, do t’ju kisha nxitur të bëheshit piktorë, por ju e shihni se me sa vështirësi po mbijetoj unë, kështu që është më mirë të zgjidhni një profesion tjetër”. Dhe bëri shumë mirë.
ALMA MILE