Pronari i Norga: Raiffeisen sdo paratë, por pronat tona

Agron Haxhiraj, pronari i Birra Norga
“Raiffeisen Bank” kërkon pronat tona, jo paratë. Prandaj po shkatërron fabrikën dhe po sekuestron pajisjet tona, ende pa u marrë vendimi i Gjykatës së Apelit”. Sapo ka mësuar për sekuestron e fabrikave të Birrës “Norga” dhe asaj të pijeve freskuese, pronari Agron Haxhiraj është kthyer me urgjencë nga jashtë shtetit.Ai zbardh në një intervistë se banka nuk u ka kërkuar asnjëherë bashkëpunim, madje ka refuzuar dhe mundësitë e ofruara nga firma “A&B Grup”.
Zoti Haxhiraj, kur morët vesh se pronat tuaja janë bllokuar nga kompania private përmbarimore, me vendim-kërkesë të “Raiffesien Bank” për mosshlyerjen e kësteve të kredisë?

Protesta e djeshme para derës së fabrikës
Gjithçka e kam marrë vesh ditën e djeshme. U ktheva urgjentisht në Vlorë, edhe pse isha për kurim jashtë shtetit. Sot në mëngjes, me kërkesë të punonjësve, të cilët ishin mbledhur para fabrikës e kërkonin punë, erdha dhe u sqarova se çfarë kishte ndodhur.
Kur kanë nisur problemet tuaja me bankën, çka solli dhe sekuestrimin e objekteve të prodhimit?
Banka ka kryer padinë në Gjykatë ndaj kompanisë qysh në tetorin e vitit të kaluar, për mosshlyerjen e katër kësteve, të cilat nuk janë paguar për kredinë.
Sa kredi keni marrë në bankë?
Kemi marrë 18 milionë euro, ku vlera e pashlyer është në shifrën e rreth 10 milionë eurove në total. Aktualisht janë shlyer 8 milionë euro.
Sipas jush, cili është qëllimi i sekuestros së biznesit tuaj?
Sekuestro e biznesit tim nuk bëhet për mosmarrje të parave, por për të penguar biznesin dhe për ta dëmtuar atë drejtpërdrejt; jo duke e sekuestruar, por duke e shkatërruar atë plotësisht si kanibalë, nga persona anonimë dhe të paautorizuar, si dhe pa asnjë vendim gjyqi. Jam i informuar që edhe sot nuk është zbardhur ende vendimi i gjyqit.
“Raiffeisen Bank” reagoi me anë një deklarate se që kur kanë nisur problemet midis palëve, banka ka deklaruar se ju ka ofruar bashkëpunim, por ju nuk keni pranuar. Si e komentoni?
Ata janë gënjeshtarë dhe mashtrues. Jo vetëm që nuk na kanë ofruar bashkëpunim, por edhe kur kemi kërkuar ne bashkëpunim, ata s’na kanë afruar as dhe bashkëpunimin më të vogël. U kemi afruar bashkëpunim në të gjitha format e mundshme, me qëllimin për të mos shkatërruar gjithçka, për të vazhduar prodhimin dhe me prodhimin do të kryheshin pagesat, si dhe punëtorët do të punonin e s’do dilnin në rrugë. Por, në asnjë moment banka nuk ka pranuar bashkëpunim, sepse atyre nuk u interesojnë paratë, por pronat për qëllime që ata i dinë. Kanë vepruar arbitrarisht, duke dëmtuar kompjuterat dhe duke marrë nga fabrika pa procesverbal sasi të mëdha prodhimi, si dhe është ndaluar prodhimi në kohën kur ka qenë në proces e sipër. Kjo shkatërron gjithë sistemin dhe fabrikën. Nëse do të bllokohej dhe sekuestrohej, duhet të lejohej të përfundonte procesi i prodhimit që ishte në vazhdim dhe më pas le të kryheshin veprimet. Por, e thashë edhe më parë: ata duan shkatërrimin e pronës sime dhe jo paratë.
Banka ka deklaruar se kanë kryer disa rikonstruksione në fabrikë. Është e vërtetë kjo deklaratë?
Absolutisht jo, gjithçka është bërë nga vetë pronarët e fabrikës. Banka ka dhënë vetëm kredinë dhe asgjë më shumë.
Ju ka kërkuar banka të bëni një bilanc të fabrikës me ekspertë të përbashkët?
Kompania ka ekspertët e vet dhe ka gjithçka të hedhur me përpikëri jo vetëm në letra, por dhe në kompjutera, si dhe kemi paguar të gjitha detyrimet ligjore ndaj shtetit.
Gjithmonë sipas njoftimit të “Raiffeisen Bank”, kjo bankë ka deklaruar se kërkoi bashkadministrim të fabrikës edhe me ekspertë ndërkombëtarë, deri në pagesën e borxhit ndaj bankës dhe t’u hiqte detyrimet?
Kompania i ka administratorët e vet, ndoshta më të mirët në Republikë. Administrimi i kompanisë është bërë në mënyrë të shkëlqyer dhe s’ka pasur nevojë për këtë marrëveshje, por nuk është e vërtetë që banka ka kërkuar këtë bashkëpunim. Kemi qenë ne që kemi kërkuar bashkëpunim me ta dhe ata s’kanë pranuar, sepse u intereson shkatërrimi i pronave nga njerëz që duan shkatërrimin e kësaj kompanie dhe për të nxjerrë rreth 200 punëtorë pa punë. Them se duan shkatërrimin e pronës, sepse në radhë të parë nuk është paraqitur vendimi i gjykatës i formës së prerë i zbardhur, së dyti, nëse një biznes sekuestrohet më pas mirëmbahet, konservohet, pasi përfundojnë të gjitha proceset gjyqësore dhe pronari humbet të drejtën e pronës, ajo del në shitje. Por, përmbaruesit anonimë nxorën punëtorët me dhunë jashtë dhe më pas shkatërruan aparaturat kompjuterike dhe disa prej tyre i çmontuan, i larguan nga Vlora dhe nuk dihet ku i çuan. Pra, shkatërruan gjithë sistemin e fabrikës, prandaj them se ata nuk duan paratë, por pronat. Me sa kuptoj unë, me këto veprime arbitrare luhen interesa shumë të mëdha.
Çfarë procedurash do të ndiqni në vazhdim?
Do të ndjek rrugën ligjore, dhe pse vendimi, i cili po shqyrtohej në Gjykatën e Apelit në Tiranë, nuk ka marrë ende formë të prerë për të qenë i zbatueshëm, si dhe do t’i kërkoj në emër të punonjësve, të cilët janë mbledhur para fabrikës me të drejtën e tyre për punë, institucioneve të shtetit të marrin masa për parandalimin e kësaj masakre kanibalësh, sepse po shkatërrohet biznesi i cili kushton 30 milionë euro dhe po dalin pa punë shumë njerëz. Nuk është se fabrika ishte pa punë dhe pa të ardhura, por ajo ka qenë në ritmet më të mira të prodhimit e fitimeve dhe sidomos tani, në sezonin veror, që ishin të gjitha mundësitë për shlyerjen e kredive normalisht.
Punëtorët, në protestë te dera e fabrikës: Të rinisë puna
VLORE – Punëtorët e fabrikave të Birrës “Norga” dhe asaj të prodhimit të pijeve freskuese protestojnë për sekuestrimin dhe mbylljen e vendeve të tyre të punës. Në ditën e katërt të sekuestrimit të fabrikave të kompanisë “A&B Grup”, në pronësi të Agron dhe Bukurie Haxhirajt, veç pronarëve, edhe punonjësit kërkojnë zgjidhje, duke vijuar të qëndrojnë pranë objekteve për shumë orë. Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra punëtorë janë mbledhur para godinave të fabrikave, duke kërkuar sërish të rinisë puna dhe të ruajnë vetë mjetet e tyre e fabrikën. Ata kanë denoncuar abuzimet që janë bërë deri më sot në fabrikë, duke deklaruar se punonjës të përmbarimit kanë shkatërruar sistemin e prodhimit, duke e bllokuar atë në proces e sipër, duke dëmtuar e stakuar barbarisht gjithë linjën e prodhimit të fabrikës “Norga”, jo vetëm tek sektori i prodhimit të birrës, por edhe tek ai i lëngjeve të frutave. Punonjësit e fabrikës, në total rreth 200 persona, kanë kërkuar të mos bëhen abuzime të tilla, duke kërkuar të rinisë puna, pasi kanë lidhur jetën dhe mbajnë familjet me këtë biznes prej vitesh. Të njëjtën gjë apelojnë dhe pronarët e fabrikës, sipas të cilëve mbyllja dhe sekuestrimi i ambienteve të prodhimit sjell lënien pa punë të qindrave punonjësve dhe pa ndihmë ekonomike qindra familje vlonjate. Përfaqësues të zyrë