Rrota e Antigonesë del nga kutia pas 20 vjetësh
Prej rreth 20 vjetësh gjendet e mbyllur në një kuti. Janë fragmente të një rrote qerreje, e cila daton rreth vitit 168 para Krishtit, e vetmja dëshmi e mjeteve të transportit të asaj kohe. Gjendet në Laboratorin e Konservimit dhe Arkiometrisë në pritje të restaurimit. Kjo rrotë, të cilën restauruesi Frederik Stamati e quan unikale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë, është mjaft e dëmtuar. Ajo është zbuluar në vitin 1989 nga arkeologu Dhimosten Budina në Antigone. Asokohe puna për nxjerrjen e saj zgjati dy ditë për t‘u sjellë më pas në Institutin Arkeologjik në Tiranë. Sipas Stamatit, kjo rrotë është gjendur e djegur dhe aq shumë e dëmtuar nga ndryshku, saqë nuk guxonin as ta lanin. U morën menjëherë disa masa, si dokumentim, organizim për të kuptuar ndërtimin e saj etj. U mendua që restaurimi i saj të bëhej në ndonjë laborator jashtë shtetit, sepse në kushtet e të vetmit laborator të restaurimit nuk mund të realizohej. "Por përpjekjet për të siguruar një restaurim jashtë shtetit nuk morën përgjigje. Ishte një objekt që kërkonte angazhim të madh. Rrota u ambalazhua dhe qëndroi për njëzet vjet në pritje të ndonjë mundësie për restaurim", shprehet Stamati, i cili tashmë i ka hapur kutitë. Por nuk guxon që të nxjerrë prej tyre ndonjë fragment, sepse hekuri është kthyer thuajse në mineral. Ai mendon se me kushtet më të mira teknike të Laboratorit të Restaurimit dhe me përvojën e fituar në këto 20 vjet, ka ardhur koha që kjo rrotë, dëshmi e një kohe të largët, të restaurohet dhe të bëhet e njohur edhe për publikun e gjerë. "I jemi drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me një projekt, sepse tashmë si pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike ne varemi nga kjo ministri dhe jemi në pritje të miratimit të projektit dhe dhënies së fondeve", shprehet Stamati. Sipas tij, procesi i restaurimit, i cili kushton 3 milionë lekë të reja, duhet të fillojë menjëherë. Restaurimi i saj planifikohet të zgjasë rreth 30 muaj dhe do të jetë tepër i vështirë. "Po e theksoj se gjendja është e rëndë dhe nuk pret më shtyrje. Pa fondin që kemi kërkuar në projekt, ne nuk do të mundemi të realizojmë restaurimin e saj", shprehet Stamati, i cili vazhdimisht ka ngritur shqetësimin e mungesës së fondeve për restaurimin e objekteve të zbuluara ndër vite, të cilat rrezikojnë shkatërrimin total. Stamati ka hapur edhe njëherë dosjen me skica dhe të dhënat për rrotën e gjetur në Antigone. Arkeologu Budina ka vdekur disa vjet më parë në Moskë, ku edhe kishte studiuar, por që para nisjes drejt këtij vendi, kishte lënë porosi për restaurimin e saj.
Të dhëna teknike
Rrota ka një diametër 124 cm. Fillimisht është formuar prej druri. Sipas analizave të kryera në Gjermani, druri ka qenë ilqe, latinisht Quercus Ilex. Pastaj ky dru është përforcuar në vendet e bashkimit me pafte hekuri të mbërthyera me gozhdë. Konstruksioni i formuar është mbathur anash me pafte hekuri për ta forcuar. Për këtë qëllim janë përdorur 42 gozhdë të mëdha kovaçi. Nga ana e jashtme duken kokat e gozhdëve, kurse nga brenda jo, sepse janë rrahur për të realizuar lidhjen. Pastaj e gjithë rrota është mbështjellë nga jashtë me një unazë hekuri të trashë, gjithsej katër segmente, të mbërthyera edhe këto me gozhdë të mëdha. Kjo ishte pjesa që shkelte në tokë. Rrota u gjet e djegur. "Kjo duhet të ketë ndodhur në vitin 168 para Krishtit, kur konsulli romak Pal Emili, pasi mundi ushtritë e Gentit, dogji 70 qytete në Ilirinë e Jugut, duke përfshirë edhe Antigonenë. Rrota u gjet në qoshen e një dhome, prandaj edhe Dhimosteni e quajti shtëpia e karrocierit. Fakti që është gjetur vetëm një rrotë dhe jo konstruksione të tjera të qerres, na bën të mendojmë se aty ka qenë një punishte për prodhimin e të tilla sendeve. Kjo rrotë është unikale, e vetmja e gjetur në Shqipëri, e vetmja dëshmitare e mjeteve të transportit të asaj kohe", shprehet Stamati. Sipas specialistëve, kjo është unikale për llojin e vet edhe në botë. Për këtë kërkohet edhe mbështetje financiare.