E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi i Arben Frrokut i kalon Gjykatës së Lartë greke

Vrasja e Lamajt, ekziston mundësia që Frroku të lihet i lirë

frrokuÇështja e super përfolur e ekstradimit të Arben Frrokut, personit të dyshuar për vrasjen e komisar Dritan Lamaj duket se është në dorën e drejtësisë greke. Kësisoj Arben Frroku mund të lihet i lirë nga drejtësia greke, për shkak se sipas disa informacioneve, drejtësia shqiptare nuk disponon dosjen e plotë me prova kundër biznesmenit Frroku.
Seanca gjyqësore
Në Gjykatën e Selanikut u zhvillua ditën e djeshme seanca gjyqësore në ngarkim të Arben Frrokut, për ekstradimin e tij në Shqipëri. Pasi dëgjoi pretendimet e të pandehurve, trupa gjyqësore vendosi që të kalojë çështjen në Gjykatën e Lartë Greke në Athinë, e cila do të vendosë për ekstradimin ose jo të Arben Frrokut dhe Jak Jakut, i cili u arrestua bashkë me biznesmenin në një hotel në Selanik.
Avokati
Avokati i Frrokut, Makis Kaftopulos tha dje se kjo është një akuzë politike që i bëhet klientit të tij. Avokati u shpreh se Gjykata e Selanikut nuk është kompetente për ekstradimin dhe për këtë arsye çështja do të merret në shqyrtim nga Gjykata e Lartë në shtetin fqinj. Avokati grek i të dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pretendon se të dhënat në dosjen e ardhur nga Shqipëria për klientin e tij, janë të pabaza dhe të pavërtetuara.
Sipas avokatit, të dhënat në dosjen e formuluar nga drejtësia shqiptare nuk e fajësojnë Arben Frrokun për vrasjen e ndodhur në 24 shkurt 2013 në Tiranë. Drejtësia shqiptare kërkon ekstradimin e Frrokut, pasi dyshon se është autor i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, në zonën e “Vasil Shantos”, ku kryekomisar Lamaj, që për një kohë të gjatë ka mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit nr.6 në Tiranë, u qëllua për vdekje me breshëri automatiku. Frroku u arrestua pa kaluar as 24 orë nga krimi i rëndë, në një hotel në Selanik të Greqisë. Frroku nuk e ka pranuar akuzën e rëndë. Ndërkohë që, prokuroria e mbështet akuzën ndaj biznesmenit në dy momente, tek një telefonatë që Frroku ka bërë pas vrasjes, ku shprehet se ka mbyllur një punë të madhe.
Vëllai
Po ditën e djeshme ka reaguar në një deklaratë të tij edhe vëllai i Arben Frrokut, Mark Frroku i cili e ka cilësuar si një fitore kalimin e çështjes në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, provat e paraqitura nga akuza për fajësinë e Arben Frrokut dhe Jak Jakut, nuk qëndrojnë, ndërsa hedh dyshime se kjo ngjarje ka prapavijë politike.

Mark Frroku: Besojmë në drejtësi,
vëllai do jetë qytetar i lirë
Gjatë deklaratës së tij, vëllai i Arben Frrokut tha dje se vendimi i gjykatës Greke, për familjen e tij do të thotë shumë pasi ata kanë besim tek drejtësia dhe për ta ky veprim është një fitore. Ne dhe mbrojtja kemi kërkuar që Arbeni dhe Jaku të vijnë në Shqipëri, jo me pranga por si qytetarë të lirë. Provat e paraqitura nga gjykata nuk qëndrojnë, pasi e gjithë familja e dinte që Arbeni do të nisej për në Selanik, dhe nisja e tij drejt shtetit grek nuk ishte e papritur. Mendojmë se akuzat kanë prapavijë politike, deklaroi Mark Frroku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›