E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohen dy shtetas, njëri kërkohej për vrasje

Nga Athina është ekstraduar shtetasi Kristaq Dhima (Bylyshi), 47-vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendim të datës 09.08.1996, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje“.

I ekstraduari Kristaq Dhima, është deklaruar fajtor për vrasjen e shtetasit Harilla Shima, ngjarje kjo e ndodhur në korrik të vitit 1994, në Genova – Itali. Për t’ju shmangur vuajtjes së dënimit ky shtetas ka ndërruar emrin nga Klement Bylyshi në Kristaq Dhima, dhe emrin e babait nga Musa në Sotir, si dhe emrin e nënës nga Hazbo në Athina.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën u bë i mundur arrestimi më datë 29.09.2011, në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Ndërkohë nga Milano – Itali, është ekstraduar drejt vendit tonë shtetasi  Genci Dadushi, 37-vjeç, lindur në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin të datës 31. 07. 2008, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë  “arrest në burg”.

I ekstraduari Genci Dadushi akuzohet për veprën penale “Mospagim i  taksave dhe tatimeve”. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shoqëria tregtare "Tekstil Floj" me ortak shtetasin Genci Dadushi, e cila ka filluar aktivitetin në vitin 2005, nuk ka paguar rregullisht detyrimet shtetërore ndaj doganave. Arrestimi në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Genci Dadushi, është bërë më datën 21.04.2011, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana me Interpol Romën. /Start/

                                                                                             2012-03-22 08:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›