E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen dy të dënuar me 34 vjet burg për vrasje

Dritan Xhepexhiu dhe Nuri Seferi janë sjellë dje me pranga nga Franca dhe Anglia pasi janë arrestuar për llogari të Shqipërisë

TIRANË- Zyra e Interpol Tiranës ka ekstraduar ditën e djeshme nga Franca dhe Anglia dy persona të dënuar për krime të rënda. Dritan Xhepexhiu dhe Nuri Seferi janë sjellë dje me pranga në aeroportin e Rinasit.

“Ekstradimi i shtetasit Xhepexhiu u bë pasi gjykata e Gramshit e ka dënuar me 16 vjet heqje lirie, për vrasje me dashje. Sipas vendimit të gjykatës, në datën 08.08.2005, në orën 21:00, në qytetin e Gramshit, Dritan dhe Sajmir Xhepexhiu janë ulur në një lokal, ku po zhvillohej një dasmë. Në këtë lokal ka qenë dhe shtetasi Durim Hoxha. Rreth orës 01:30, pas mbylljes së lokalit, ka filluar një grindje mes shtetasve Durim Hoxha, Arjol Xhangolli, Dritan Xhepexhiu dhe Saimir Xhepexhiu. Në grindje e sipër ka mbetur i vrarë shtetasi Durim Hoxha dhe i plagosur shtetasi Arjol Xhangolli”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, vrasja ka ndodhur për motive të dobëta. E gjithë ngjarja ka pasur si motiv një zënkë banale dhe të dyja palët para se të grindeshin kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli. Në shoqërinë e këtyre shtetasve ka pasur edhe femra e për pasojë në pije e sipër mespalëve janë shkëmbyer fjalë fyese, të cilat kanë degjeneruar më pas në një grindje pa krye. Ndërkohë, i ekstraduari tjetër është shtetasi Nuri Seferi, i dënuar nga gjykata e Kavajës me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje për motive të dobëta e kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasi Nuri Seferi më datë 02.10.1991, ka vrarë me thikë shtetasin Hakik Xeka, në fshatin Luz i Vogël, në bashkëpunim me vëllezërit e tij Fetah dhe Fatmir Seferi. Pas vrasjes ai është arrestuar por më datë 13.03.1997, Nuri Seferi është larguar nga burgu dhe nuk është kthyer më. Ai është arrestuar në Londër për llogari të palës shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›