Ekstradohen dy të kërkuar nga drejtësia shqiptare
TIRANË- Dy persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar dje nga dy shtetet fqinje, Greqia dhe Italia. Juljan Mingo, 30 vjeç, është ekstraduar dje nga Greqia, i cili ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet për shfrytëzimin e një femre për tetë vjet si prostitutë në Itali.
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së shtetit u shprehen se Mingo, është ekstraduar dje në orën 16 e 30 minuta, nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Athinën, ndërkohë që ndaj tij Gjykata e Korçës në prill të vitit 2006 ka vendosur masën e sigurisë " arrest me burg", si person i akuzuar për veprën penale të "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.
Sipas burimeve të policisë mësohet se i ekstraduari bashkë me dy persona ka shfrytëzuar për prostitucion për tetë vjet me radhë, një femër me inicialet K. XH, nga fshati Liqenas i Korçës, ndërkohë e dëmtuara ka patur më parë njohje familjare me Mingon.
"Në verën e vitit 1997 Julian Mingo ka takuar K. Xh. dhe i ka propozuar asaj të shkonin në plazh. Pasi ajo ka pranuar dhe ka hipur në automjet, i ekstraduari në bashkëpunim me të tjerë, i kanë mbyllur gojën dhe e kanë kërcënuar duke përdorur dhunë.
Kjo e fundit është mbajtur disa ditë në banesa të ndryshme, në Lezhë, Durrës dhe Vlorë, ku më pas, bashkëpunëtorët e Julian Mingos, e kanë çuar atë në Itali, ku e kanë shfrytëzuar si prostitutë për disa vite" u shprehen dje burimet zyrtare të Policisë së Shtetit në lidhje me ekstradimin e të kërkuarit për shfrytëzim prostitucioni.
Pasi e dëmtuara ka ardhur në Shqipëri ka bërë denoncim për tutorët e saj, ndërsa arrestimi i Mingos është kryer në korrik të këtij viti me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Po dje në aeroportin "Nënë Tereza" është ekstraduar nga Milano, Valentin Dodaj, 31 vjeç nga Mirdita, i cili është dënuar në vitin 2000 me gjashtë vjet burg për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë, i ekstraduari në bashkëpunim me një person tjetër i identifikuar me emrin Martin Doda, në shtator të vitit 1998, i kanë rrëmbyer makinën personit me emrin Durim Gj. Dy personat e ekstraduar dje iu janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.