E Diel, 1 Nëntor 2026

Përurohet fillimi i punimeve, por punimet nuk fillojnë

SHKODËR - HANI I HOTIT/ Kryeministri përuroi dhjetë ditë para zgjedhjeve nisjen e punimeve të autostradës. Gjashtë muaj më pas, asgjë nuk ka ndodhur në këtë aks


SHKODËR - Edhe pse punimet për autostradën Shkodër - Han i Hotit kanë filluar zyrtarisht më 18 qershor të këtij viti, asnjë metër e këtij aksi rrugor kombëtar nuk është bërë. Madje, po të bësh një krahasim mes fotove të shkrepura ditën kur kryeministri Sali Berisha preu shiritin e fillimit të këtyre punimeve, dhe atyre të sotmeve, i vetmi dallim mes tyre janë prania e përuruesve dhe makinerive.


Rruga Shkodër - Han i Hotit, 40 km e gjatë dhe 10,5 metra e gjerë, do të ndërtohet si bashkëfinancim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare me vlerë 40 milionë euro. Nga këta, 30 milionë euro janë financim i shtetit italian dhe 10 milionë euro i qeverisë shqiptare.


Më 18 qershor të këtij viti, vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, në mitingun e zhvilluar në lagjen "Skënderbej" të qytetit të Shkodrës (ku dhe fillon ndërtimi i kësaj rruge, pasi do të ndërtohet ajo që qytetarët e njohin me emrin unaza lindore e qytetit), u premtua se ndërtimi i tërë aksit rrugor do të përfundonte për 20 muaj.


Tabela përkatëse e vendosur ditën e fillimit të punimeve e tregonte këtë (edhe pse aktualisht tek kjo tabelë është dëmtuar apo e thënë më qartë, është shqyer pjesa ku shkruhej afati i përfundimit të saj).


Në të vërtetë, pas 18 qershorit, ditës ku Berisha së bashku me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, dhe përfaqësuesin e firmës italiane që do të kryente ndërtimin e autostradës prenë shiritin e fillimit të punimeve, as në unazën lindore dhe as në ndonjë pjesë tjetër të këtij aksi nuk është punuar. Mjetet e sjella atë ditë duket se vetëm kanë bërë sheshimin e rrugës plot gropa dhe kanë shërbyer që në to të hipte Kryeministri, pasi më vonë nuk kanë punuar.


Burime pranë Bashkisë së Shkodrës bëjnë të ditur se pjesa shqiptare e financimit të këtij projekti është përfshirë në buxhetin e vitit 2010 dhe përfshin segmentin që kalon nëpër qytet së bashku me shpronësimet përkatëse, ndërsa pjesa tjetër i përket qeverisë italiane


Kryeministri Berisha në ditën e përurimit të fillimit të punimeve të kësaj autostrade deklaroi: "Sot përuruam fillimin e punimeve të autostradës Shkodër-Hani i Hotit, ngjarje kjo me rëndësi të madhe për vendin në tërësi dhe Shkodrën në veçanti.


Me këtë rast, dua t'i shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë italiane për këtë ndihmë bujare që i jep Shqipërisë dhe Shkodrës, financimin prej 30 milionë eurosh të kësaj autostrade, e cila ka një kosto prej 40 milionë eurosh, dhe pjesa tjetër mbulohet nga buxheti i shtetit. Ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore. Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi.


Së shpejti, fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi. Autostrada do të ndërtohet nga një prej kompanive më të njohura në Itali "Matarresse", e cila merr përsipër një ndër punimet më cilësore dhe sjell këtu teknologjinë më të mirë të ndërtimit të rrugëve.


Dua ta përgëzoj këtë kompani dhe t'i shpreh vlerësimin tim të madh se autostradën do t'ia dhurojë Shkodrës, Shqipërisë, por edhe Malit të Zi në një kohë shumë më të shkurtër, sesa është parashikuar.


Mikut tim, Presidentit të kompanisë, Matarresse, i rikujtoj se Shqipëria, së paku në dy sezone, është shumë e përshtatshme për të punuar me tre turne dhe, në fakt, ka shumë nevojë për këtë, sepse çdo ditë e fituar në këtë rrugë të re është një e ardhur shumë e madhe për ekonominë e Shkodrës dhe ekonominë shqiptare në tërësi".


Qytetarët shkodranë kanë shpresuar se autostrada e përfolur prej shumë vitesh që do të lidhte Shkodrën me Hanin e Hotit dhe Malin e Zi, tashmë do të bëhej realitet. Por ata shprehen të zhgënjyer, pasi dhe pse këtë herë u pre shirit dhe u bë ceremoni madhështore, asnjë metër prej këtij ndërtimi nuk është bërë dhe askush nuk thotë se kur do fillojë të bëhet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›