E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: të dënohen me 39 vite burg tre "trafikantët" e 17.5 kg heroinë

PRETENCA


TIRANË- Tre persona të akuzuar për veprën e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë, u kërkua nga Prokuroria e Krimeve të rënda të dënohen nga gjykata me 39 vite burg në total. Pas 27 seancave gjyqësore të zhvilluara, kryesuesi i trupit gykues i dha fjalën prokurorit të çështjes të lexojë konkluzionet ndaj tre të akuzuarve që tentuan të dërgojnë në Greqi 17.5 kg heroinë në maj të 2008.


Prokurori i Ardian Nezhës, kërkoi deklarimin fajtor të tre të pandehurve Ardian Rexhepi, Erjon Voda dhe Julian Gega për kryerjen e veprave penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Sipas prokurorit, i pandehuri në mungesë Erjon Voda është cilësuar si organizatori dhe pronari i kësaj sasie droge. Për të akuza kërkoi dënimin me 14 vjet burg në mungesë.


Për pritësin e kësaj sasie droge në Greqi, i hetuar dhe gjykuar në mungesë, Julian Gega, prokurori kërkoi dënimin e tij me 13 vite burg. Për "transportuesin" e sasisë së narkotikut, Ardian Rexhepin, që kishte pranuar këtë detyrë kundrejt 2500 eurove, prokurori kërkoi të dënohet me 12 vite burg.


"Gjatë hetimit gjyqësore është provuar se tre të pandehurit në role dhe kohë të ndryshme por për të njëjtën sasi droge, kanë organizuar dhe nisur në drejtim të Greqisë nga Shqipëria 17. 5 kile heroinë. Ajo u gjet dhe sekuestrua nga policia me 6 maj 2008"- tha në konkluzionet e tij prokurori.


Sipas këtyre pretendimeve, mbi bazën e informacioneve të ardhura në polici nga një agjent i infiltruar në grupin e trafikut të drogës, është mësuar se me datë 6 maj 2008 do të kalonte "korrieri" Ardian Rexhepi me një sasi prej 17.5 kg heroinë drejt Greqisë.


Edhe pse pika më e afërt e kufirit për emigrantin Rexhepi, ishte ajo e Kakavijës, "korrieri" kishte vendosur të përdorte pikëkalimin e "Tri Urave" në Përmet. Me të mbërritur në pikën e kontrollit të kufirit, policia ka gjetur dhe sekuestruar në gomën rezervë të veturës që ishte në bagazhin e saj. Pas leximit të konkluzioneve të akuzës, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore duke i lënë një javë kohë avokatëve të përgatisnin mbrojtjen.

Katër adoleshentë në pranga, akuzohen për vjedhje


TIRANË- Katër persona, të gjithë adoleshentë, janë arrestuar nga Policia e kryeqytetit për disa vjedhje të kryera prej tyre ndërsa policia iu ka sekuestruar një sërë sendesh të marra në banesa apo objekte të ndryshme të bastisura.


Arrestimet janë kryer pas kapjes në flagrancë së një të mituri me inicialet I. N, 14 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4. Ai është kapur duke vjedhur një banesë, ku dyshohet të marrë një sasi prej 2000 eurosh, si dhe një sasi bizhuterish.


Nga hetimi është zbuluar se i mituri vjedhjen e ka kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë, me 17- vjeçarin E. Ç, i shpallur në kërkim për vrasje e mbetur në tentativë dhe 19- vjeçarin K. M. përveç shumës së eurove kanë vjedhur, dy ora, një byzylyk, e një unazë, të gjitha sende floriri.

Pas këtyre arrestimeve, blutë e Komisariatit nr. 4 ndaluan edhe dy të mitur të tjerë E. S, 14 vjeç nga Mamurrasi dhe M. N, 15 vjeç nga Tiranë, të akuzuar për vjedhje. Arrestimi i tyre u krye dy ditë më parë, dyshohet se në bashkëpunim dhe me një bashkëmoshatarin e tyre, vjedhur një automjet "Lançia libra", me targa italiane BG726J.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›