Ekstradohen nga Dubai “ushtarët” e Talo Çelës, shkon në tetë numri i personazheve të krimit që sillen nga Emiratet e Bashkuara

Ka shkuar në tetë numri i shqiptarëve të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, deri pak kohë më parë një vend i sigurt për persona me precedentë kriminalë që kanë zgjedhur Dubain si strehë.
Mesnatën e së enjtes, tre të kërkuar të drejtësisë shqiptare, Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika u ekstraduan drejt Tiranës.
Forca të shumta të RENEA-s rrethuan Rinasin për shkak rrezikshmërisë së personazheve, që njihen si ushtarë të bandës të të shumëkërkuarit Talo Çela. Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim.
Ervis Daka, 38 vjeç, akuzohet për tentativë vrasjeje, sigurim i kushteve për vrasje në dy atentate të rënda në dëm të Kei Pikut dhe Arjan Spahiut në vitin 2020. Në rastin e Pikut ishte informator për lëvizjet, ndërsa te Spahiu në Belgjikë siguroi kushtet për eliminim. Daka akuzohet se strehoi Talo Çelën në kërkim.
Maksim Koçi dyshohet për vrasjen e dy personave si dhe siguroi kushtet për vrasjen e 2 të tjerëve, përfshirë ndihmën për fshehjen e Talo Çelës.
Ado Xhika, 40 vjeç, është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë. Xhika, për 2 vjet me radhë ka ndihmuar Talo Çelën të fshihet, thonë autoritetet.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/