E Hënë, 2 Nëntor 2026

AI dhe shëndeti mendor, Hoxha: Nëse përdoret në mënyrën e duhur, e shëndetshme. Bënja: Efekte pozitive në mjekësi

Ndërsa inteligjenca artificiale vazhdon të evoluojë dhe të integrohet në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme, roli i saj në mbështetjen e shëndetit mendor është bërë një subjekt debati të ashpër. Është rritur shumë numri i individëve që i drejtohen chatboteve dhe platformave të Inteligjencës Artificiale për të shprehur problemet e tyre emocionale dhe për të kërkuar këshilla, lindin pyetje në lidhje me përfitimet dhe rreziqet e mundshme të mbështetjes në teknologji për kujdesin shëndetësor mendor. A është inteligjenca artificiale një mundësi apo kërcënim për shëndetin mendor? Kësaj pyetje i kanë dhënë përgjigje psikologia Eriona Hoxha dhe Brenton Bënja nga Geek Room në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.

Në fjalën e saj Hoxha u shpreh se përdorimi i AI-së nuk përbën asnjë kërcënim për sa kohë përdoret në mënyrën e duhur. Psikologia theksoi gjithashtu, se përdorimi i AI-së pa kriter, krijon fantazi të shfrenuara të cilat nuk do mund të kontrollohen dot.

Ajo shtoi se e trajtuar në mënyrë të moderuar, përdorimi i AI është i shëndetshëm dhe i suksesshëm.

“Nëse do përdoret në mënyrën e duhur nuk do quhet kërcënim. Po nisin të krijohen dashuritë platonike ndaj gjërave jo reale.

Na cenon në momentin që fillon e krijon fantazitë e shfrenuara që s’do i kontrollojmë dot. Duhet të mbetemi në normalitet se pastaj do mendojmë se cili është vërtetë shëndeti mendor. Për çështje të ekzistencës e zhvillimit na është thënë problematike ajo që ka ardhur me shkencën. Ndoshta nuk është fare ky normaliteti dhe do jemi në botë të tjera ku normalitet është diçka tjetër  E trajtuar mirë, është e suksesshme, e shëndetshme. Duhet të nisin të mësohen limitet kur duhen përdorur.

Për publikun shqiptar kjo vjen shumë e vështirë sepse nuk ekspozohemi shumë ndaj këtyre fenomeneve e psiko-edukimit për risitë. Për hir të së vërtetës në botë fenomenet evoluojnë më shpejt, në Shqipëri fenomenet vijnë shpejt, por për çështje trajtimi jemi të ngadaltë. Psiko-edukimi na lë pak mbrapa”, deklaroi psikologia Hoxha.

Nga ana e tij, Bënja deklaroi se AI po përdoret gjerësisht në mjekësi dhe ka sjell efekte pozitive. Në këtë kuadër, ai shtoi se, AI po ndihmon në diagnostifikimin e sëmundjeve të fazë shumë të hershme dhe jep kura të personalizuara.

“Lidhja e AI me shëndetin është një prej temave që më pëlqen më shumë sepse sot Ai po përdoret gjerësisht në mjekësi dhe po sjell efekte shumë pozitive. Ka pika, momente që është e dëmshme. Por ka raste ku po ndihmon në diagnostikimin e sëmundjeve në fazë shumë të hershme.

Po ndihmon në personalizimin e kurave të pacientëve të ndryshëm. Tani Ai po e bën më të thjeshtë dhe më i suksesshëm kurimi. Nëse shkojmë të shëndeti mendor, e shoh përdorimin e AI në një aspekt më pozitiv.

Pavarësisht se ka raste kur persona të caktuar kanë faza më të rënda të shëndetit mendor, kur AI s’duhet marrë kurrë në konsideratë”, u shpreh ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›