KOMENT – Polonia shkon në balotazh, e ndikuar nga Trump, e djathta ekstreme dhe lufta në Ukrainë

VARSHAVË, 31 maj /ATSH/- Polonia do të zhvillojë nesër balotazhin presidencial mes dy kandidatëve që ofrojnë vizione krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e vendit, sipas AP.
Fituesi do të pasojë presidentin Andrzej Duda, një konservator i cili po përfundon mandatin e tij të dytë dhe të fundit.
Rezultati do të përcaktojë nëse Polonia do të përqafojë trajektoren populiste nacionaliste apo do të orientohet plotësisht drejt politikave liberale dhe pro-evropiane.
Kushdo që fiton mund të pritet që ose të ndihmojë ose të pengojë axhendën e qeverisë qendrore të kryeministrit Donald Tusk – falë fuqisë presidenciale për të vënë veton në ligje.
Një votim i paparashikueshëm në një kohë tensionesh
Votimi vjen mes tensioneve të larta rajonale të nxitura nga lufta e Rusisë në Ukrainën fqinje, shqetësimeve për sigurinë në të gjithë Evropën dhe debateve të brendshme rreth shtetit të së drejtës.
Ky votim vjen pas një raundi të parë më 18 maj, në të cilin kryetari i bashkisë së Varshavës, Rafał Trzaskowski fitoi më shumë se 31% të votave dhe Karol Nawrocki, një historian konservator, fitoi gati 30% të votave. Njëmbëdhjetë kandidatët e tjerë u eliminuan.
Sondazhet e opinionit treguan se të dy kandidatët janë në garë kokë më kokë.
Nawrocki doli shumë më mirë në raundin e parë sesa kishin parashikuar sondazhet, duke treguar se fuqia e tij politike ishte nënvlerësuar.
Nga ana tjetër, një numër i madh polakësh jashtë vendit janë regjistruar për të votuar në raundin e dytë, gjë që mund ta ndihmojë Trzaskowski.
Një luftë ideologjike globale
Nawrocki, kohët e fundit mori mbështetje nga Trump dhe konservatorët e tjerë amerikanë, të cilët i shohin zgjedhjet polake – si pjesë të një beteje globale midis forcave të krahut të djathtë liberal dhe populist.
Fushata e tij u ka bërë jehonë çështjeve të njohura të të djathtës amerikane – duke përfshirë skepticizmin ndaj burokracisë së BE-së dhe theksin në identitetin e krishterë.
Mbështetësit e tij mendojnë se Trzaskowski, me pikëpamjet e tij pro-BE-së, do t’ia dorëzonte kontrollin e çështjeve kyçe polake Parisit dhe Berlinit.
Nawrocki është mbështetur gjithashtu nga administrata Trump dhe kryeministri konservator hungarez, Viktor Orban.
Shumë centristë evropianë po mbështesin Trzaskowski – duke parë tek ai një lider që do të mbronte demokracinë – ndërsa ajo përballet me presionin e forcave autoritare në të gjithë globin.
Ai ka marrë mbështetjen e presidentit të ri rumun të qendrës, Nicusor Dan – i cili mundi rivalin e tij, një nacionalist të ekstremit të djathtë. //a.i/