BRUKSEL – BE kërcënon Trump me kundërtarifa për mallrat amerikane

BRUKSEL, 31 maj /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian kundërshtoi sot njoftimin e fundit të presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me tarifat e importeve të çelikut – duke kërcënuar me një përgjigje para verës.
“Na vjen shumë keq për rritjen e njoftuar të tarifave të SHBA-së për importet e çelikut nga 25% në 50%”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel, i cili është përgjegjës për politikën tregtare të BE-së.
“Ky vendim shton pasiguritë e mëtejshme në ekonominë globale dhe rrit kostot për konsumatorët dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut”, shtoi ai.
“BE është gati të ndërmarrë kundërmasa. Kjo mund të ndodhë edhe më herët se 14 korriku”, tha ai.
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, kundër-tarifat e BE-së të planifikuara tashmë për shkak të vendimeve fillestare të tarifave të Trump do të hyjnë automatikisht në fuqi në këtë datë.
Blloku vendosi që masat të hynin në fuqi më 14 prill, por u tërhoq pasi Trump u caktoi shumë vendeve dhe BE-së një pauzë 90-ditore të tarifave të reja.
Kjo dritare mundësie ishte menduar të përdorej për negociata. BE ka theksuar vazhdimisht se do të ndërmerrte masa vendimtare kundër tarifave të SHBA-së nëse bisedimet dështonin.
Duke folur në një tubim dje në një fabrikë çeliku në SHBA pranë Pitsburgut – presidenti amerikan tha se tarifat shtesë të importit do të forconin industrinë kombëtare të çelikut.
Administrata e Trump i ka justifikuar tarifat ekzistuese të çelikut si një masë për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
Ai tashmë ka njoftuar, kërcënuar ose zbatuar tarifa të shumta të tjera.
Përveç një tarife të re penalizuese prej 10% të vlerës së mallrave për pothuajse të gjitha importet, ai ka njoftuar tarifa specifike, më të larta për importet, duke përfshirë edhe nga partnerë të mëdhenj tregtarë si Kina dhe Bashkimi Evropian. //a.i/