Berisha: Prona në rrezik madhor, Paketa e Maleve është t’ua marrësh pronat të tjerëve

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot në një familje tiranase ku u ndal gjatë tek çështja e pronave ndërsa vijon takimet elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Berisha garantoi të pranishmit në takim se PD nuk tërhiqet derisa të përmbushë misionin e zgjidhjes së çështjes së pronësisë, një mision të domosdoshëm për paqen dhe drejtësinë.
Fillimisht, ai shpjegoi se hapat e kufizuar të ndërmarrë nga PD në vitet e para të demokracisë vinin për shkak se hiperkolektivizmi, jo vetëm që privoi njerëzit nga prona, por për fatin më të keq tek një pjesë e madhe e shoqërisë e fshiu dhe konceptin.
“Krijimi i kësaj psikologjie bëri që PD që në hapat e parë të kishte, të kishte hapa të kufizuara, të padrejta në në raport me të drejtën e pronës”, u shpreh ai.
Berisha shtoi më tej se në këto 12 vitet e fundit, çështja e pronës, jo vetëm nuk u zgjidh, por sot janë ligje të vitit 1946.
“Me krijimin e agjencisë Korporata e Investimeve, që Edi Rama ka vënë aty një Belinda të dytë, ata i marrin sot tokën çdo shqiptari pa asnjë lloj kufizimi dhe çmime qesharake. Kjo ka qenë në ligjet e 1946”, tha Berisha.
Sipas tij, këta 12 vjet janë zgjidhur gjithsej 800 dosje, nga 22 mijë apo më shumë dosje që janë.
“Tani me Korporatën e Investimeve që shpallet pronare një agjencie, që është e pabazuar në Kushtetutë, ligj dhe zgjedh vetëm vullnetin për të vjedhur toka, shpallet tani pronare e tokave dhe e pronave të shtetit shqiptar. Dhe për ta, nuk njihet asnjë kufizim. Është tokë e privatit apo e shtetit, apo e cilitdo”, u shpreh Berisha.
Berisha shtoi se rrezik i ri është edhe Paketa e Maleve. “Paketa e maleve është t’ua marrësh pronën të tjerëve”, tha ai.
Prona, vijoi Berisha, është në një rrezik madhor.
Kreu i PD tha se nuk do të njihet asnjë vendim i Agjencisë së Pronave. “Mos u bëni bashkëautor në krimin e përvetësimit të pronave të të tjerëve, se PD, qeveria e saj, nuk do ta pranojë kurrë një gjë të tillë”, tha ai.
Berisha shtoi se në 4 vite, cilado që të jetë kosto, “ne do të zgjidhimin në mënyrë përfundimtare çështjen e pronës në Shqipëri”.