E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 93% e të punësuarve paguajnë më pak se 10% me taksën progresive

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste gjatë takimit me banorët e Burrelit tha se, reforma e taksës progresive solli që 93% e të punësuarve të paguajnë më pak se 10%.

“Sistemi i taksës që gjetëm, 10% për të gjithë, që nga pastruesja e deri te kryeministri, ishte komplet i padrejtë se ata që merrnin më pak paguanin më shumë dhe ne kthyem taksë progresive, që kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë dhe kush merr më pak do të paguajë më pak”, u shpreh Rama, teksa vuri në dukje se 57% e të punësuarve në vendin tonë nuk paguajnë taksë mbi pagën.

Sipas tij, qeveria ka shënuar hap cilësor edhe sa i takon barazisë gjinore.

“Sipas të dhënave të OKB-së, Shqipëria sot sa i takon përpjekjeve për barazi gjinore është ngjitur në vendin e 23 -të në botë, nga vendi i 83-të që shënonte më parë. Papunësia e grave është ulur nën 10% nga 16,4% që ishte dhe paga mesatare për gratë është rritur në 830 euro që është shumë afër pagës mesatare të burrave”, tha Rama.

Sa i takon investimeve të huaja, Rama tha se Shqipëria për herë të parë ka mesataren më të lartë ndër vendet e rajonit.

Ndërsa eksportet, vijoi ai, nga më pak se 3 miliardë që ishin më parë, janë rritur mbi 9 miliardë euro në 2024. Pra 3 herë më shumë eksporte. Dhe biznesi i vogël do të ketë 0 taksa deri në vitin 2029.

Rama tha se, në këto vite janë rritur ndjeshëm pagat dhe mbështetja sociale.

“Paga e mjekëve sot është 1670 euro dhe do  të shkojë 2000 euro. Pagat e mësuesve janë rritur në 950 euro dhe do shkojë 1250 euro. Ndërsa buxheti mbrojtjes është rritur në 280 milionë euro, domethënë, 10 herë më shumë dhe paga mesatare e ushtarakëve sot 1550 euro”, u shpreh Rama.

Sipas tij, në buxhetin 2026, do të dyfishohet masa e mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta dhe  një tjetër program është trefishimi i ndihmës ekonomike.

“Për 9200 nëna të papuna me 3 ose më shumë fëmijë, shteti paguan rreth 25 milionë euro sigurime shoqërore dhe shëndetësore, që të përfitojnë pension dinjitoz. Ndërsa 227 mijë fëmijë kanë marrë bonusin e bebes, që është 400 euro për fëmijën e parë, 800 euro për të dytin dhe 1200 për të tretin. Duke filluar nga viti tjetër do të vendosim një shumë çdo muaj për nënat sipas numrit të fëmijëve”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›