E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet vrasësi i Evës

Albenc Ago u soll dje nga Italia për të vuajtur dënimin për vrasjen me një plumb në sy të Eva Vishajt, nënës së këngëtares së njohur Elsa Lila

 TIRANË - Prek tokën shqiptare pas 11 vjetësh, por këtë herë me pranga në duar, Albenc Ago, ish-shoferi vullnetar i Partisë Socialiste, autori i vrasjes së bujshme të Eva Vishajt (Lilës). 40-vjeçari, i dënuar me 20 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me dashje” e “armëmbajtjes pa leje”, u ekstradua dje nga Zyra e Interpol Tiranës, pasi ishte arrestuar dy muaj më parë në Padova të Italisë. I shumëkërkuari u dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi ndaj tij është dhënë një vendim gjyqësor i Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e ka dënuar Agon më 1 dhjetor të vitit 2005 me 20 vjet burg. Dënimi i tij u bë i mundur 9 vjet nga vrasja e bujshme e datës 23 maj 1997, kur në kilometrin e 29 të aksit nacional Tiranë-Elbasan gjendet e vrarë me një plumb në syrin e djathtë nëna e këngëtares së njohur Elsa Lila. Ngjarja shokoi mbarë opinionin publik, por për 7 vjet me radhë mbeti pa autor. Ka qenë këmbëngulja e familjarëve të Vishajt, e cila çoi në zbardhjen përfundimtare të çështjes, autori i së cilës nuk ishte i vështirë të identifikohej. Sipas prokurorisë, Eva Vishaj është parë që ditën e krimit të hipte në makinën tip fuoristradë, shofer i së cilës ishte Ago. Pas një përleshjeje me viktimën, ai e ka qëlluar barbarisht atë dhe e ka lënë në mes të rrugës. Një fugon i rastit, i cili bënte linjën Elbasan-Tiranë mësohet të ketë gjetur dhe trupin e pajetë të Evës. Pas shumë muajsh hetime e pasi iu dha dënimi në mungesë, 40-vjeçari shpallet në kërkim policor. Arrestimi i tij u bë i mundur vetëm dy muaj më parë në Padova, në apartamentin të marrë me qira në të cilin ai jetonte prej vitesh, që nga koha kur ndodhi vrasja e rëndë. Menjëherë pas prangosjes, policia italiane ka vënë në dijeni Interpol Tiranën për kapjen e tij e kanë nisur menjëherë procedurat për ekstradim, të cilat u finalizuan vetëm dje.   Në kohën kur u vra, Eva Vishajt ka qenë e punësuar si kamariere në lokalin “Juna” në Tiranë dhe kishte njohje me autorin e vrasjes. Ditën e krimit, ajo ka qenë në palestër, pranë shkollës “Hoxha Tasim” dhe është larguar që andej me një makinë fuoristradë, makinë e cila drejtohej nga Ago.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›