E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët bëjnë rezistencë

Arian Madhi (ne qender)

Arian Madhi thote se partia e tij nuk i miraton ndryshimet qe propozojne socialistet dhe demokratet per sistemin zgjedhor. "Po cenohet demokracia"

Partia Republikane mendon se propozimi i bërë nga Partia Socialiste për sistemin zgjedhor është diametralisht i kundër me propozimin që kanë bërë partitë e ashtuquajtura të vogla. Kreu i grupit kuvendor republikan, Arian Madhi, ka thënë se forca politike që përfaqëson ka vlerësuar se nuk ka qenë aspak e nevojshme që për të arritur standardet, për të cilat janë hedhur akuza lidhur me procesin e manipulimit, të njohur ndryshe si fenomeni “Dushkut”, nuk është i nevojshëm ndryshimi i sistemit. Në bisedën me “Korrierin”, Madhi u shpreh se ndryshimi i sistemit në nismën e PS-së mbart në vetvete qëllimin për të përdorur një mekanizëm, në mënyrë që ato (dy partitë e mëdha) të realizojnë maksimalisht interesat dhe qëllimet e tyre. Megjithëse nga pikëpamja procedurale ideja e një propozimi në vetvete nuk shkakton rezerva, gjithë oponenca shkon ndaj thelbit dhe përbërjes së tij. “Çështja qëndron se kur ne jemi shumë larg një marrëveshjeje lidhur me qëndrimet që kemi, atëherë sigurisht që kjo do të tregojë se ne nuk do të mund të jemi pjesë e një mirëkuptimi në këtë sistem”, ka thënë Madhi. Për kreun e deputetëve republikanë në Kuvend, sistemi proporcional rajonal, i propozuar nga socialistët, përkthyer në terma konkretë, është një sistem i cili synon në radhë të parë, që të gjitha partitë që janë nën nivelin prej 7 për qindësh dhe, së dyti, të gjitha kuotat që këto parti kanë në nivelin mbi 7 për qind, të shkojnë dhe të përdoren pikërisht nga dy partitë e mëdha. Sipas tij, kjo gjë bëhet për të siguruar një paketë, pse jo dominuese të pushtetit të nesërm ekzekutiv dhe të Parlamentit Shqiptar. “Duke u nisur pikërisht nga këto dy situata, ne nuk gjykojmë se kushtet politike në Shqipëri janë të tilla, që cenohet në një lloj mënyre pluripartitizmin që përfaqësohet në parlamentin shqiptar, prandaj ne nuk mund të mbështesim dhe sigurisht që do të jemi shumë kritikë”, tha Madhi. Madhi tha se partitë politike që kundërshtojnë këtë sistem, do të forcojnë të gjitha lëvizjet institucionale dhe politike për të realizuar një mungesë votimi, në mënyrë që paketa të mos marrë numrin e kërkuar të votave në Parlamentin Shqiptar. Lidhur me oponencën e PR-së dhe pëlqimin që duket se po japin demokratët, Madhi nuk ka dashur të thotë në këto momente se ka ose mund të ketë një çarje në marrëdhëniet mes dy partive. “Vlerësojmë deklaratën e kryeministrit, që tha se “duhet të vlerësojmë me seriozitet propozimin e PS-së”, që besoj se nuk nënkupton, thënë në mënyrë deklarative, se “ne jemi për këtë sistem”. Kjo nënkupton se, përderisa kryeministri thotë që ne jemi të hapur për të gjetur një vullnet sa më të përbashkët, do të thotë që ndoshta mund të ketë edhe ndonjë shmangie, për të gjetur një konsensus më të gjerë”, tha Madhi. Ai nënvizoi se për momentin është i detyruar të komentojë lëvizjet që janë formalizuar deri më tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›