Do të largohemi!
Menduh Thaçi
PDSH-ja e Maqedonisë kërcënon se do të braktisë qeverinë nese nuk plotesohen gjashte kerkesat e saj
Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni paralajmëroi dje braktisjen e qeverisë, duke e kushtëzuar kryeministrin Nikolla Gruevski për plotësimin e gjashtë kërkesave. Lajmi u bë publik nga agjencia e lajmeve INA, sipas së cilës kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, ka paralajmëruar largimin nga qeveria, nëse kryeministri Gruevksi nuk merr parasysh përmbushjen e 6 kërkesave të partive shqiptare. Bëhet fjalë për ligjin për UÇK-në, zyrtarizimin e gjuhës shqipe, njohjen e shpejtë të Kosovës, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në takimet lokale dhe mbylljen e katër rasteve të Gjykatës së Hagës që muajin e kaluar u kthyen në Maqedoni. Zëdhënësi i qeverisë, Ivica Bocevski, theksoi për INA, se nuk do të komentojë zhvillimet e fundit mes partnerëve të koalicionit dhe paralajmërimet e PDSH-së. Ky është kërcënimi i dytë i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni për braktisjen e qeverisë së koalicionit me VMRO-DPMNE-në, pasi që kjo e fundit nënshkroi një marrëveshje të brendshme në majit të vitin e kaluar me partinë shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të shumta mes dy partive shqiptare në të kaluarën, ato duken të bashkuara lidhur me kërkesat ndaj qeverisë së kryeministrit Gruevksi. Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, deklaroi dje se BDI-ja nuk është tërhequr nga kërkesa për ligjin e gjuhës shqipe dhe statusit legal të UÇK-së, të cilat parashikohen në marrëveshjen e majit. “Ali Ahmeti dhe BDI-ja nuk tërhiqen nga këto dy kërkesa legjitime, kërkesa të cilat tashmë janë kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në deri në samitin e Bukureshtit do të bëjmë presion të fuqishëm që këto dy detyrime të mara nga Maqedonia si shtet të implementohen”, tha Ademi.