Interi kërkon përmbysjen e madhe
Italianet lusin Zotin qe te mos pesojne fatin e kolegeve te tyre te Milanit qe u shkaterruan nga anglezet e tjere javen e kaluar
Sot në mbrëmje do të mësohet edhe skuadra e fundit që do të kalojë për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Inter apo Liverpul? Në letër, anglezët janë favoritë pas fitores 2-0 në Angli, por zikaltërit e Roberto Mançinit do të mundohen të harrojnë pesë minutat e fundit fatale të ndeshjes në “Anfield Road” dhe do të kërkojnë përmbysjen e madhe. Pas 100-vjetorit të festuar të shtunën, morali i skuadrës nga Milanoja është i lartë dhe ka shumë optimizëm. Në Evropë, Interi ka fituar pesë ndeshjet e para në shtëpinë e vet (nuk ka pësuar asnjë gol) kundër skuadrave angleze, përfshirë këtu edhe fitoren 3-0 kundër Liverpulit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve (atëherë Kupa e Kampionëve) në sezonin 1964-65. Pikërisht duke u nisur nga ky vit, të gjithë shpresojnë në një përmbysje të rezultatit, pasi ndeshja e parë në Angli kishte përfunduar po 2-0. Liverpuli i Rafa Benitezit vjen në këtë ndeshje pas fitores 3-0 kundër Njukasëllit dhe me një Fernando Torres në një formë të shkëlqyer (pesë gola në dy ndeshjet e fundit në Premier Ligë). Lajme të mira vijnë për trajnerin spanjoll të të kuqve, i cili mund të besojë tek mesfushori Havier Maskerano, i rikuperuar pas dëmtimit në ndeshjen kundër Uest Hemit. Për sa u përket mungesave, nuk do të jetë i gatshëm mbrojtësi Stiv Finan, për shkak të një problemi muskulor. Pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e plotë. Mbrëmja e “San Siros” do të jetë magjike për Xhemi Karrager, i cili do të luajë ndeshjen e tij të 100-të në kupat e Evropës, ndërsa Interi është në kërkim të golit numër 500 në kupat e Evropës. Për trajnerin e zikaltërve, Roberto Mançinin, problem do të jetë rreshtimi i skuadrës në mbrojtje. Do të mungojnë Kordoba (sezon i përfunduar), Materaci (i pezulluar), ndërsa rumuni Kivu është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm. Në qendër të mbrojtjes do të jenë i riu Rivas dhe argjentinasi Burdiso. Në sulm, Zllatan Ibrahimoviç (do të jetë nga minuta e parë) është rikuperuar dhe në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Rexhines është parë në një formë shumë të mirë. Dyshimi i vetëm i Mançinit mbetet se kush do ta shoqërojë suedezin në repartin e avancuar. Kruz apo Krespo? I pari ka shtatlartësinë dhe teknikën, ndërsa i dyti ka mbi supe më shumë eksperiencë në kompeticionin më të rëndësishëm në Evropë. “San Siro” do të jetë i mbushur plot e përplot dhe nuk do të ketë as edhe një vend të lirë. Takimi do të gjykohet nga norvegjezi Tom Henning Oevreboe, i cili është një gjyqtar i ri dhe pa eksperiencë në arenën evropiane. Në këtë sezon, Oevreboe ka drejtuar vetëm njëherë një skuadër italiane dhe ka qenë pikërisht në “San Siro”, Milan-Selltik, 1-0.