E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet vrasësi i elektricistit

 TIRANE-Interpoli ka ekstraduar dje nga Holanda, të kërkuarin për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, të kryer në bashkëpunim, Fredi Aliaj. Ai u arrestua rreth një vit më parë në Amsterdam, pasi ndaj tij kishte një urdhër ndalimi ndërkombëtar, duke qene i dënuar në mungesë nga Krimet e Rënda me 20 vjet burg. Pas katër vitesh në kërkim, Fredi Aliaj është arrestuar bashkë me të vëllain, Sokol Aliaj, pjesëmarrës në vrasje, të dënuar për torturimin ekstrem dhe vrasjen e elektricistit fierak, Robert Mitro, në zonën e plazhit të Durrësit. Sokol Aliaj u ekstradua më 12 nëntor të vitit të kaluar dhe një ditë pas ekstradimit të tij, u arrestua në Amsterdam, idenatori dhe bashkëpunëtori në vrasje, Ismet Boriçi, i cili pritet të ekstradohet. Viktima Robert Mitro, me detyrë elektricist, u gjet në vitin 2004 në plazhin e Durrësit, në bagazhin e makinës së tij, i masakruar dhe i futur në një thes. Në atë kohë, policia mendoi për ndonjë ekzekutim mafioz, por investigimi i aktivitetit të viktimës zbuloi se ai ishte një punëtor i thjeshtë elektrik në Fier dhe vrasja kishte lidhje me një histori dashurie, që ai kishte me një 16-vjeçare, e cila ishte kushërirë e parë e Ismet Boriçit, mik i ngushtë i vëllezërve Aliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›