E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstremistët serbë betonojnë barrikadën mbi urën e lumit Ibër

Ekstremistë serbë kanë përforcuar barrikadat mbi lumin Ibër duke shkarkuar katër kamionë me zhavorr e duke e betonuar atë.
Mediat kosovare shkruajnë se bandat e serbëve lokalë kanë betonuar barrikadën e ngritur në cepin verior të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas mediave kosovare pas betonimit të barrikadës në këtë zonë të Mitrovicës ka kaluar naftë kontrabandë.
Betonimi i barrikadës mbi lumin Ibër është bërë në orët e vona të natës së të shtunës.
Kosovapress shkruan se serbët ekstremistë e shkarkuan zhavorrin të ndihmuar edhe nga katër mikserë, që sipas saj i takojnë kapos së krimit në veri Zvonko Veselinoviç.
Gjatë natës në veri të Kosovës është dëmtuar edhe një kamera e sigurisë e vendosur nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër.
Aksioni i bandave kriminale serbe është vëzhguar nga ushtarët e KFOR-it, karabinierët italianë dhe Policia e Kosovës.
Serbët e rebeluar i kanë mbrojtur gjatë gjithë natës barrikadat, ndërkohë që pikat kufitare 1 dhe 31 kanë qëndruar të mbyllura për qarkullimin e automjeteve, pasi ekstremistët serbë kanë ngritur një tjetër barrikadë në Jarinje, nga ana e kufirit të Serbisë.
Sipas Kosovapress që prej 16 shtatorit kur hyri në fuqi marrëveshja për vulat doganore në Jarinje e Bërnjak, kjo është e para herë që serbët lokalë ngrenë barrikadë përtej kufirit të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›