E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekuinoksi i opozitës, si një vjeshtë pensioni

12-07-2011 / Nga Lavdrim Lita

Ekuinoksi në astronomi është ai çast kohor në të cilin Dielli ndodhet pingul mbi ekuatorin e Tokës dhe, vendndodhjen e dukshme të Diellit në atë çast. Kurse në politikë ekuinoksi i vjeshtës është ai çast kohor kur Partia Socialiste shpall protesta dhe demonstrata popullore. Ky ekuinoks opozitar është një nga çmenduritë e shekullit të 21-të. Dhe është pikërisht data “21” e çdo muaji qoftë ai, që intrigon tejmase  Partinë Socialiste për të krye gjeste me tipare revolucionare. Kështu mësuam se me datën 21 shtator na qenka paralajmëruar rikthimi i protestave të opozitës, me arnime emigrantësh të papunë dhe forumit të Elisës, për të rrëzuar qeverinë Berisha. Sidozot 21 shtatori na qenka sinjali i parë i nisjes së aksionin popullor të paralajmëruar para ca ditësh nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky i fundit në tentativë për të mbajtur fort partinë na risjell në kryeqytet gjuhën radikale të rrugës, ç’ka i shërben për neutralizimin e zërave ndryshe, sepse në “betejë” kush del nga rreshti dhe llogorja, qoftë edhe me një mendim a fjalë ndryshe, së paku quhet “tradhtar”, renegat i ideale opozitare. Arben Malaj është i paralajmëruar. Andis Harasani i komunikuar. Kastriot Islami i përjashtuar.
Kësisoj në vjeshtë bashkë me shirat do të kemi në qarkullim militantë socialistë në kërkim të pushtetit. Pushteti është i ëmbël. Fiks 8 muaj nga demonstrata e dhunshme e 21 janarit, Edi Rama nxjerr në bulevard një tjetër hordhi barbare, si pjesë e aksionit popullor për të rrëzuar qeverinë Berisha. Sigurisht nga përvoja e mëparshme protesta e 21 e shtatorit do të paraprihet nga përgatitja e terrenin në fund të gushtit, ku nga selia rozë nga xhami i shtypit do të fillojnë akuzat pa prova, shpikje banale, trillimet halucinante  dhe hamendësimet shkak-pasojë. Verba volant.
Sakaq rikthimi valës së protestës me 21 shtator do të thotë se beteja politike do kapërcejë kufijtë e arsyes, për ty kthyer në një mosmarrëveshje. Dhe kjo mosmarrëveshje do të thotë humbje të trenit të integrimit europian, pasi opozita sic duken bathët s’ka ndërmend të japë konsensus për plotësimit e 12 pikave të kërkuar nga Bashkimi Europian. Një politikan , si Rama, që konfliktin e ka në gjak padyshim qe bashkëpunimi është një gjë e panjohur në politikë. Agjenda e konfrontimit dhëmbë më dhëmbë me maxhorancën i siguron atij një kontroll të mëtejshëm mbi opozitën, sepse në mungesë të ideve dhe platformës politike gjallimi në opozitë është më mirë se asgjë. Filozofia e asgjësë është propaganduar tash 2 vjet nga kreu bosh i opozitës. Dhe nëse kërkon të dalë nga qorrsokaku politik i duhet të shpikë një marifet për t’u mbushur mendjen shqiptarëve, që ai nuk është më i papranueshmi i madh.
Mirëpo do të jetë e vështirë për një lider që nxit tensionin social me kauza boshe, pa interes për pjesën më të madhe të shoqërisë, e cila kërkon mirëqenie nëpërmjet bashkëpunimit konsensual të votimit të ligjeve, aq të nevojshme për sipërmarrjen e lirë vendase, sic është amnistia fiskale dhe Gjykata Administrative. Përkundër kësaj Rama shpall protesta popullore, që nuk dihen nëse e tejkalojnë opozitën si në 21 janar, apo jo?
Afërmendsh zgjedhjet lokale të 8 majit, në votë plebishitare koalicioni i drejtuar nga kryeministri aktual Berisha ka mbi koalicionin e Ramës rreth 140 mijë vota më shumë, që përkthehen po të votohet sot në 7 ose 8 deputetë më shumë. Janë qindra mijëra vota  që duhen fituar në 2 vjet nga opozita, dhe kur sheh sesi sillet kreu i opozitës me mos-mbrojtjen e interesave të qytetarit, me ofertën që nuk i jep shoqërisë kupton sesa të vështirë do ta ketë opozita dhe Edi Rama. Janë dy vite decizive për kreun e Partisë Socialiste, që i përhumbur në frymëzime radikale, i çorientuar në strategji, pa asnjë ide dhe platformë qeverisëse vështirë se do të nxjerrë dicka në dritë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›