E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Prokuroria si celulë ekstremiste, ka vepruar me platformën e Sigurimit të Shtetit – domosdoshmëri për reformë në Drejtësi

12-07-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta akuzon ashpër organin e akuzës si të varur politikisht dhe tërësisht e paaftë dhe jo profesionale. Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Ilir Meta e përshëndeti këtë vendim, duke e konsideruar si të drejtë për vazhdimin e gjykimit ashtu siç edhe ai vetë kishte kërkuar pak ditë më parë përmes një Memo/kërkese.


“Dua të përshëndes vendimet e Gjykatës së Lartë të trupit gjykues në seancën e djeshme, të cilat krijojnë mundësinë për gjykimin në themel të çështjes në fjalë dhe njëkohësisht krijojnë mundësinë për transparencë të plotë dhe maksimale të gjithë këtij procesi, i cili sikurse praktikisht u konfirmua edhe nga vendimet e djeshme është një proces skandaloz, përsa i takon shkeljeve të rënda të ligjit dhe të procedurave nga ana e prokurorisë. Gjë që konfirmoi atë që ne e kemi thënë prej kohësh përpara jush dhe përpara të gjithë opinionit publik se Prokuroria nuk ka pasur për qëllim ta zbardhë këtë çështje, por ka vepruar si një celulë politike ekstremiste për të dëmtuar personin time dhe forcën politik që unë drejtoj vetëm për arsye elektorale. U konfirmua botërisht se të gjitha ekspertizat ndërkombëtare të bëra nga ana e prokurorisë janë të pavlefshme, sepse janë të paligjshme, pra janë bërë tre ekspertiza, dhe kjo nuk ndodhur ndonjëherë. Të tre herët janë zgjedhur vetë nga prokuroria, të tre herët pavarësisht nga paralajmërimet tona edhe me shkrim, si nga unë vetë ashtu edhe nga ana e avokatëve të mi është shkelur në mënyrë flagrante ligji dhe kodi i procedurës penale, duke dëmtuar në mënyrë të qëllimshme një proces ku prokuroria kishte për të detyrë të zbatonte ligjin dhe të zbardhte të vërtetën. Kjo tregon njëkohësisht se edhe kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit tim është bazuar në një ekspertizë të paligjshme dhe të pavlefshme”- u shpreh Meta.


Sipas tij, organi i akuzës vuan nga paaftësia dhe mungesa e profesionalizmit dhe më kot i kërkon Kuvendit të Shqipërisë rritjen e buxhetit me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit, pasi në të vërtetë ka harxhuar me qindra e mijëra dollarë për ekspertiza të paligjshme dhe të pavlefshme.


“Kjo tregon njëkohësisht se prokuroria e cila vazhdimisht kërkon rritje të buxhetit të saj në parlament me qëllim që të rrisë pastaj efektivitetin në luftën kundër krimit, korrupsionit e kështu me radhë, ka harxhuar në mënyrë të qëllimshme dhe të ndërgjegjshme, ose më saktë ka shpërdoruar dhjetëra mijëra dollarë për ekspertiza qëllimisht të paligjshme dhe natyrisht të pavlefshme. Unë e kam thënë edhe më parë se të gjithë këto kanë ndodhur ngaqë prokuroria e di shumë mirë se ajo kasetë është një montazh, por prokurorisë i është ndaluar që në fillim që ta zbardhë të vërtetën. Sepse nuk mund të dilte kurrsesi kjo e vërtetë aq më tepër para zgjedhjeve të 8 majit kur aktorë të rëndësishëm politik kishin dhënë garanci para opinionit publik që kjo nuk ishte montazh. Prokuroria me veprimet e saj skandaloze dhe politike njëkohësisht ka kryer edhe disa vepra penale në gjithë këtë proces ndaj personit tim dhe unë edhe ndaj saj edhe ndaj cilitdo tjetër që ka cenuar të drejtat e mia si qytetar do të shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar dhe europian për t’i fituar këto të drejta, jo thjesht në emër të Ilir Metës, por në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilëve u janë cenuar të drejtat e tyre ose mund t’u cenohen në të ardhmen nga sjellje të tilla të papërgjegjshme dhe antiligjore”- deklaroi kreu i LSI-së, Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›