Ekzekutimet e PD-së
Dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, nuk do të ishin bërë lajmi më trazues për politikën dhe sistemin gjyqësor në Shqipëri, sikur kreu i shtetit të kishte qëndruar në linjën e piketuar nga partia në pushtet.
Kësisoj, Bamir Topi nuk do të ishte, (si rrallëherë) një kryetar shteti, të cilit i rrëzohen në bllok dekretet nga deputetët e partisë së cilës i ka shërbyer si një nga drejtuesit për kaq vite. Ajo që ndodhi mbrëmjen e 16 qershorit në Kuvend, ishte vetëm ekzekutimi i një skenari që ishte paralajmëruar mëse një muaj më parë. Ndodhte kur qetësisht dhe zyrtarisht Presidenca njoftonte më 15 maj 2008 se kishte dekretuar pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Një procedurë që kishte ndjekur të gjitha kriteret që parashikon Kushtetuta. Një procedurë e kaluar me atributet që Libri Themeltar i Shtetit i jep Presidentit.
Por ndodhte pa pjesëmarrjen e partisë-shtet. Dhe partia-shtet dëshmoi se në votimin e 20 korrikut 2007 për të zgjedhur si President të vendit, nënkryetarin e PD-së dhe njëherësh kryetarin e grupit parlamentar të partisë më të madhe të shumicës qeverisëse, nuk e ka bërë me qëllimin për të kurorëzuar Topin si president, por për të rrëmbyer institucionin e radhës nën sqetull.
Kreu i shtetit kishte zbatuar thjesht procedurën dhe ishte mbështetur në nenin 136 të Kushtetutës, se: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”. Interpretimi i këtij neni në PD, ashtu si dhe në partitë e tjera sunduese, më parë ka qenë ndryshe: “Partia i propozon emrat, Presidenti i dekreton dhe deputetët e partisë pastaj votojnë pro në Kuvend”.
Kjo linjë nuk u zbatua. Se pse, nuk u zbatua skenari i parapërgatitur i partisë-shtet e shpjegonte Presidenti dje, në Konferencën e Përgjithshme të Prokurorëve:
“Sot, me cilësinë që kam, fatmirësisht jam i çliruar jo vetëm nga detyrimet e një karriere të gjatë politike, jam i çliruar edhe psikologjikisht dhe sot jam i motivuar që së bashku me ju të përballim një situatë që ka të bëjë me konsolidimin e shtetit ligjor”.
Por partia në pushtet nuk do një President të dalë nga binarët e PD-së, nuk do një shtet ligjor, por shtetin që drejtohet nga njerëzit e rekrutuar prej saj. Gjyqtarët e nderuar të dekretuar nga presidenti Topi, nga Kristaq Traja, që kishte përfaqësuar për nëntë vite Shqipërinë në Gjykatën Europiane në Strasburg, deri te Medi Bici, që ishte veshur gjyqtar pas kursit të famshëm të “Plepave”, nuk janë më njerëzit e partisë së drejtuar nga kryeministri Berisha.
Se çfarë njerëzish nuk do partia-shtet e tha Presidenti po dje para prokurorëve: “Ne sot dëshirojmë të promovojmë figura, të cilat nuk tentojnë të gjejnë lidhje të shkurtra të influencës dhe të politikës, por bazohen mbi staturën e vet. Statura presupozon ndershmëri, integritet, profesionalizëm”.
E ka treguar historia e kaluar e qeverisjes së PD-së, kur kryetari i PD-së ishte kreu i gjithëpushtetshëm i shtetit. Atëherë kur çmontonte Prokurorin e Përgjithshëm për ta zëvendësuar me një të vetin. Kur frikësonte deri në eliminim fizik, Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit dhe ndërsa ai merrte rrugën e ekzilit matanë Atlantikut, vinte në vend të tij një kukull që t’ia lëvizte fijet nga selia e Presidencës.
Nuk ishte një betejë parimore, ajo e dekreteve. As lufta e njëshit të të djathtëve, që ka në jetëshkrim një teserë të kuqe partie, kundër gjyqtarëve që paskan milituar për regjimin monist, kur ligji për Gjykatën e Lartë kërkon minimumi një përvojë të shquar profesionale prej 15 vjetësh.
Ishte një betejë mes partisë-shtet që është gati të shkrijë gjithçka për të blerë vota deputetësh. Njëlloj si në vitet e shkuara kur qeverisnin të majtët, që arrinin të blinin jo vetëm vota KPD-je, por edhe mandate gjyqtarësh, me të cilat bëhej jo vetëm trafik influence, amnistohej krimi dhe figurat e tij, por edhe konsolidohej pushteti, jo ai ligjor, por ai i partisë-shtet.
Presidenti i Republikës nuk do të ishte ndoshta ai i dekreteve të rrëzuara mbrëmjen e 16 qershorit 2008, por të kishte bërë lojën e kryetarit të PD-së. Të kishte mbledhur grupin e atyre deputetëve që rëndom etiketohen si mbështetës të tij, t’u kishte kërkuar emrat që donin të promovonin dhe në këmbim t’u merrte votën pro. Ai nuk e bëri këtë lojë blerjeje, duke marrë drejtpërdrejt emrat që kishin kaluar sipas ligjit Kushtetues në filtrat e Presidencës dhe jo të PD-së. Ai ia la kryetarit të PD-së ta luante këtë lojë dhe ai si në votimin e shkuar të korrikut 2007, tregoi se është joshësi i përkryer për të blerë kartonë dhe për të ekzekutuar skenarin për partinë-shtet.