Dorëheqja e Hajdarit, Haklaj sërish në short
TIRANË- Dorëheqja e të vesë së Azem Hajdarit, gjyqtares Fatmira Hajdari nga dosja e Hamdi Haklajt detyroi gjykatën të rihedhë në short këtë çështje. I fundmi i Haklajve akuzohet për vrasjen e Halil Hoxhës në Tropojë, por për arsye sigurie, çështja do të gjykohet në Tiranë. Krejt rastësisht, dosja i ra për gjykim Fatmira Hajdarit, por kjo e fundit dha dorëheqjen, për arsyen se Hamdi Haklaj është vëllai i ekzekutorit të bashkëshortit të saj. Pas dorëheqjes së saj, kryesekretari e Gjykatës së Shkallës së Parë e hodhi përsëri në short elektronik, ku i ra për shqyrtim kryesuesit të treshes gjykues, gjyqtarit Bujar Krasniqi. Sipas dosjes së ardhur nga Tropoja, Hamdi Haklaj që tashmë ka fituar azilin politik në Suedi ka kryer vrasjen e shtetasit Halil Hoxha në shkurt të vitit 1998, në qendër të Bajram Currit për hakmarrje. Ndërkohë, pranë kësaj gjykate gati prej tre vitesh i pandehuri Haklaj gjykohet për vrasjen e Ramë Hoxhës dhe mbesës së tij, Fatmira Hoxha, si dhe plagosjen e gjashtë personave të tjerë më 10 qershor 2004, në Qafë-Luzhë të Tropojës.