Bloomsday nga Dalbania
Është e mundshme t’i tretësh lumenjtë në fjalë të gjalla, siç ishin në krye të erës, kur Zoti qe fjala.
James Joyce
Sot është Bloomsday. Dita botërore e Blumëve të Xhojsit, edhe këtu në vendin që ai, kushedi pse, e quajti Dalbania. Uliksi - njëdita e një jete, por mund të ishte edhe jeta e një sekonde. “Natyrisht, koha matet në fillim e fund” i thotë Xhojsi në intervistën me shkrimtarin çek, përkthyesit të tij Hoffmeister.
Dhe ky: Kritiku Brion në një artikull brilant për konceptin e kohës në veprën tuaj, ka shpërfaqur hipotezën që diferenca mes Zotit dhe njeriut qenka veçse një çështje kohe.
Po, më ka krahasuar me Proustin. Për Proustin koha është qendra e të gjithës. Ky z. Brion na ka zbuluar në veprën time principin e relativitetit. Për të, vepra ime është po aq e pakuptueshme sa ajo e Einsteinit.
Ciorani në mbresa takimesh me Beketin thotë se për çudinë e tij të madhe - po aq dhe zhgënjimin - Beketi i pat treguar se, ndryshe nga sa besohej, Xhojsi nuk e pëlqente Swiftin (çudi, kurse ai vetë nuk e fshihte ndikimin prej tij!), për më tepër, nuk e kishte fare preferencë satirën (çudi, ndërsa për kritikën duket aq evidente e kundërta) Dhe sipas Beketit “ai nuk revoltohej kurrë, ishte i shkëptur, i pranonte të gjitha. Për të nuk kishte pikë ndryshimi mes rënies së një gjetheje dhe rënies së Satanait...” . Fantastike! Beketi, nxënës e mik i Xhojsit, në mos të bind, të mund edhe pa argument, vetëm me peshën e frazës. Pos kësaj, për vështrimin e mësipërm, personalisht jam i prirur të besoj Beketin më tepër se vetë Xhojsin apo kritikën.
Si botues i tyre, ndodh të më vënë shpesh në provën e krahasimit dhe afërive mes dy gjigantëve irlandezë. Në festën e vitit të kaluar e kapa veten gafil me përgjigjen se Xhojsi është sigurisht më i rëndësishëm, pasi e njeh mirë “Uliksin” e Homerit si arketip i njerëzimit qysh prej antikitetit, por ai që e njeh më mirë se Xhojsi “Uliksin” është Beketi, ngase përveç tipit të njerëzimit, njeriut, të gjorit njeri, ai ia mbërriti të njohë dhe Xhojsin. Tekefundit bloomsday ishte festë; dhe madje festa e fjalës së lirë në tërë kuptimet, luksit për t’ia mbytur kot, por brenda estetikës së kotësisë. Se s’mund të mbetej festë popullore, pa pranuar që për të shijuar një vepër nuk është domosdoshmëri erudicioni në të njëjtën lartësi me shkruesin e tij. Ashtu si dhe e kundërta.
Pak histori! Thjesht sa për datën e sotme, fare pak, e kam parasysh, meqë vepra e Xhojsit është e tëra një histori dehistorizimi: “Historia është makthi prej të cilit po përpiqem të zgjohem” thoshte kur po përpiqej me “Uliksin” e tij. Ndërsa “Odisenë” e Homerit, që e adhuronte si model të njerëzimit, na e nxori edhe belik modern, meqë sipas tij ai ishte shpikësi i parë i tankut qysh në bark të... kalit!
Data 16 qershor - njohja me Norën, pastaj vendimi i beftë për të ikur, vendosja në Trieste deri më 1920. Nora Bernacle mbeti një grua mjaft e respektuar për Xhojsin, ngase diti t’i shkonte gjeniut për shtat, pra sipas avazit xhojsian, duke mbetur veçse një nikoqire në menage familjare, megjithë, sipas saj, “nevojën e këtij për të shkruar ato libra që askush s’i kupton”.
E kështu na e përdori datën e historisë personale për të ndërtuar një histori që adhuruesit nëpër botë do ta festonin sot e gjithë ditën. Ashtu siç përdori, veç të tjerëve, edhe Norën tek i dërgonte letra dashurie. Syrgjynosje krejt e padetyruar kjo e Xhojsit prej Irlandës, ndoshta për një vizion universal si Niçe, Rimbaud, Poe, Beket. Kësisoj, nis odisea e uliksit. Dhe jeta e Xhojsit ndahet 3 herë nga njëzet vjet: 20 vitet e para në Dublin, 20 të dytat mes Triestes dhe Zvicrës dhe 20 të tjerat në Paris duke krijuar rrotull tij atë vorbull të plejadës më të plotë të kohërave me Heminguejin, Ezra Poundin, Gertrude Stein-in, Fitzgerald-in, Henry Miller-in, Beckettin...
Uliksi shpërfaq veprën më të gjerë e humane të shkruar në Evropë qysh prej Rabelais- tha vetë Xhojsi. Dhe Silvia Beach – libraria e shakespeare and company do ta besonte këtë mu në mes të egërsisë së censorëve gati inkuizitorë, dhe i dha fund odisesë duke nxjerë në dritën e botimit Uliksin - librin, mallkuar qoftë, më të mrekullueshëm, siç anatemoi, duke e ngritur njëherit edhe në qiell, Hemingueji.
Drejtpërdrejtë apo indirekt, i tërë arti dhe letërsia qysh prej “Uliksit” mbetet e ndikuar prej tij. “Uliksi është heroi i jetës sime”, tha Xhojsi. “Preferoj moshën e pjekur; në rini nuk kuptohet hiçgjë.” Dhe u bë kësisoj edhe heroi i jetës së përkthyesve të tij nëpër gjuhët ku endej dhe vetë.
Valery Labraud e përcaktoi punën e gjatë të përkthimit të Uliksit një hare dhe “divertissement fhilologique”; dhe meqë miqësisht kam qenë mjaft pranë Idlir Azizit, kam ndjerë veç mundit edhe këtë pjesë të tij - dëfrimin me Xhojsin dhe fjalën.
Xhojsianët e studimeve të thelluara vijojnë të gjejnë (sikur të ishte material radioaktiv!) e të kallëzojnë mbi atë çka thur polisemia verbale, liria e asociimit si mekanizëm i të menduarit, memorjes e gjuhëzimit te Xhojsi. Të tjerë janë marrë e marrosur me korpusin xhojsian si një gjithçka e determinuar, paracaktuar.
“Kur ëndërroj e shpik pa kthim, a nuk jam unë natyra?” - pyet Vallery. “Mendja megjithatë arrin të bëjë diçka. Ajo e pasuron më tej natyrën: dhe jo vetëm kur krijon, siç bën zakonisht, po dhe kur i shton kësaj atë çka bën sikur krijon. Tek e vërteta ajo ndërton gënjeshtrën; mitin e miteve: të pakufijën - kohën. Por gënjeshtra dhe koha s’do ekzistonin asfare pa ndonjë artific. Fjala është ai mjet që shumëfishohet ndër asgjë”.
Dhe Kundera: “Tolstoi dhe Xhojsi kishin të njëjtin obsesion: të rroknin atë çka ngjet në kokën e njeriut në një çast të së tashmes, që më tej do të humbë”.
Tjetër shtresë ndaj rërës origjinale... nis e shkruan Xhojsi në një pasazh të shënimeve të Finegan’s Wake dhe më tej e vijon në gjuhën shqipe: Çdo vet ose i varur në të hangër në sotqërinë e pijetarit tonë mund ta shohë syparin dukevetë, një xerr dhomë od’ të ftohtë, gjallimi duke belbëzuar mbi një karrig’, një voe halli nga Dalbania me një sy en’ ku bëhet darka, çdo gotsasi me raki, një portokall e ca buk të shtruara në sofër, të kujtohet ai lloj i tbutë sheqiri që motra na tregonte kur të gjithë ishim biribijat apo nipa e mesat)...ka a’ rritur lëndjën tokësore ndërsa ngarriteshim në të shkuarën.
E pas kësaj performance kaq të dashur në shqip, e sjellë nga gjeniu si prej supës primordiale a si për një vakt të vetëm thelbësor, po e mbyllim me një optik aforistike prej Xhojsit. Sot është Bloomsday, dhe ne s’mund të mos e festojmë meqë:
“Domosdoshmëria është ajo gjë sajë virtytit të së cilës është e pamundur që diçka të jetë ndryshe”.
Më shumë se ditë letrare është, ndoshta, një ngjarje e natyrës; dhe ne po e mbushim se “Natyra e urren zbrazësinë”. Dhe sepse “Ngjarjet e ardhme na e hedhin hijen si paralajmërim për të tashmen”.
Është dita botërore e Uliksit, kur ende “Paqja dhe lufta varen nga tretja në stomakun e dikujt”.
Festohet kudo ku “Zoti ka bërë ushqimin, djalli kuzhinierët”.
Dhe njerëzimi me copëra mishrash ndër dhëmbë që bën të bërtasë dhe s’bërtet dot “Mos e hani mishin e viçit se sytë e lopës do t’u ndjekin deri në përjetësi”. Dhe “kur të kafshon ujku bëj durim, llahtarë është kur të kafshon delja”.
Edhe sot pritet që të ndodhë diçka për të provuar se “Lëvizjet që sjellin revolucionet në botë lindin nga ëndrrat e përfytyrimet e bujqëve të kodrinës”.
Ende sot e kësaj dite “Nuk mund ta hash kekun dhe ta kesh prapë në pjatë”.
Ishte Bloomsday, sot e gjithë ditën kur “Të gjithë buzëqeshin buzëqeshjet përkatëse”
Bloomsday sot; dhe tekefundit “asgjë e re nën këtë diell”.
Pa lexim dhe festa kotësie do vijojë të mos dihet që “Gjithkush një asgjë është”. Ndoshta edhe me këto, nuk se ka për të qënë ndonjë gjë e madhe, por të paktën mbeten leximet dhe festat për të rrëfyer.
Përkthyesi Azizi martohet në ditën e “Uliksit”
Një dorë njerëzish në Tiranë festuan 16 qershorin, Bloomsday-n, ditë kur shkrimtari i “Uliksit” Xhejms Xhojs njohu gruan e tij të ardhshme, Norën. Me nisëm e botuesit shqiptar të veprës autentike të shekullit të XX, Krenar Zejno, në ambjentetet e bar “Iliria” u mbajt “Një seancë spiritizmi” nga Moikom Zeqo, një rrëfim “antiUliks” nga Shpëtim Kelmendi, ndërsa botuesi i “Zenitit” përmes telefonit i ka përcjell urimet e të pranishmëve Idlir Azizit. Përkthyesi i parë dhe ndoshta i fundit i romanit në fjalë, për prurjen në shqip të të cilit u vlerësua me “Penda e Argjendtë 2004”, është martuar pikërisht më 16 qershor në Paris. Azizi poet dhe përkthyes i autorëve të tjerë të vështirë si Beket ;apo Folkner, po mbron në Paris doktoraturën për veprën e Xhojsit. Është e qartë që Idliri nuk do të zgjidhte tjetër datë. I ka dhënë Xhojsit shtatë vjet nga jeta e tij për të përkthyer “Uliksin”. Tani po lidh me irlandezin edhe një shenjë të veçantë si data e martesës.
Bloomsday festohet çdo 16 qershor në Dublin për të kujtuar Xhejms Xhojsin dhe romanin e tij, ngjarjet e së cilës ndodhinnë një ditë të vetme në Dublin më 1904. Emri i kësaj dite vjen nga emri Leopold Bloom, protagonisti i “Uliksit”.