E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekzekutimi i Gjovalin Prendit, zbardhen detaje të reja

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 64-vjeçarit Gjovalin Prendi, mbrëmjen e së enjtes në lokalin në pronësi të tij në fshatin Pllanë të Lezhës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe kqyrja e kamerave të sigurisë në zonë, sipas burimeve për RTSH, mësohet se rezulton se autorët të cilët dyshohet të kenë qenë katër persona kanë lëvizur më një automjet foristradë “Poch”, e cila ka ardhur nga Miloti.

Sapo kanë hyrë në parkingun e lokalit, dy prej tyre, të maskuar, kanë zbritur nga automjeti dhe njëri ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të viktimës nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes makina është larguar sërish përgjatë Urës së Matit në drejtim të Milotit, nga ku kanë humbur edhe gjurmët. Ndërkohë në momentin e ngjarjes brenda lokalit ka patur dhe persona të tjerë, të cilët kanë shpëtuar për mrekulli pa marrë lëndime.

Burime nga Policia e Lezhës bëjnë më dije se janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por deklarimet e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për identifikimin e autoreve dhe zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Mësohet gjithashtu se një automjet është gjetur i djegur në afërsi të fshatit Fushë Gjorm në ngjarjen e djeshme në Fshatin Pllanë. Mjeti është gjetur rreth 300 metra larg autostradës pranë një kanali.

Ekspertët e krimeve po ekzaminojnë mjetin e djegur për të zbardhur ndonjë detaj nga kjo ngjarje e rëndë.

Viktima Gjovalin Prendi rezulton të jEtë babai i Roan Brahimit, apo i njohur ndryshe dhe me emrin Sidorel Prendi i cili u vra në një atentat mafioz në Athinë në muajin maj të vitit 2024, ngjarje e cila vijon të jetë e pazbardhur. Pista kryesore e hetimeve për ngjarjen e Athinës po edhe atë të mbrëmjes të së enjtes, është ajo e hakmarrjes, pasi Roan Brahimi dyshohet të ketë qenë përfshirë në disa atentate të ndodhura gjatë viteve të fundit në vendin tonë.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›