Kakavijë / Festa e Pashkëve, fluks lëvizjesh në kufirin me Greqinë

Afrimi i festës së Pashkës Ortodokse ka rritur ndjeshëm fluksin e lëvizjes në doganën e Kakavijës. Sipas Policisë Kufitare në Gjirokastër përgjatë 24-orëve të fundit udhëtuan në të dyja anët e kufirit me Greqinë 10 700 persona dhe 3656 automjete.
Fluksi më i lartë është regjistruar në hyrje të tokës shqiptare, ndërsa bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj kthehen për ti kaluar Pashkët në vendlindje.
Në 24-orët e fundit kanë qenë 7740 persona dhe 2796 automjete që kanë hyrë në Shqipëri. Aktualisht stafet e të dyja policive në Kakavijen shqiptare dhe atë greke janë angazhuar për shmangien e rradhëve të pritjes në kufi në këto ditë Pashkësh.
Policia shqiptare punon me 4 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa pala greke me 2 sportele në dalje dhe 1 në hyrje. Gjatë paraditës të së premtes në Kakavijë nuk janë regjistruar radhë pritje në sportelet e kontrollit të dokumentave. Fluksi i lartë i lëvizjes në kufi pritet të vazhdojë edhe përgjatë fundjavës.
/RTSH/