Hapet Qendra e re e Kontrollit të Trafikut në Kamëz, Rama: Hap i rëndësishëm për sigurinë rrugore

Kryeministri Edi Rama njoftoi hapjen e Qendrës së re të Kontrollit të Trafikut në Kamëz, një infrastrukturë e rëndësishme për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe koordinimin e shërbimeve të emergjencës. Qendra e re do të bashkërendojë një sërë projektesh dhe skuadrash, duke e lidhur këtë iniciativë me projektin e “Revolucionit Digjital”, i cili ka si qëllim krijimin e “Qytetit të Mençur” (SmartCity).
Sipas Kryeministrit, kjo qendër do të mundësojë monitorimin e rrugëve kombëtare dhe bashkiake 24 orë në çdo ditë të javës dhe do të përmirësojë koordinimin mes Policisë Rrugore, Urgjencës Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencave Civile. “Një risi e shumëpritur për sigurinë e qytetarëve dhe menaxhimin e trafikut,” theksoi Rama.
Qendra do të funksionojë me 122 operatorë dhe në fazën fillestare të monitorimit do të lidhen me kamera 200 km rrugë, duke mbuluar autostradat kryesore Tiranë-Durrës, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, dhe Fier-Vlorë. Synimi i këtij projekti është të mbulohen 3650 km të rrugëve kombëtare dhe lokale, që janë pjesë e inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
“Tashmë ne jemi gati për të gjithë fillimin operimeve. Sot le të themi që është dita e parë e testimit në terren, gjithashtu edhe nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit midis gjitha skuadra ve, të cilat do të jenë operative brenda në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut. Ky është inovacioni më i madh që ne sjellim për strukturën rrugore, por sigurisht ashtu sic e kemi thënë duhet përmendur që do jetë një kontribut i rëndësishëm, edhe për sigurinë kombëtare. Dhe çka është më e rëndësishme, këtu bashkërendohen një sërë projektesh, bashkërendohen një sërë skuadrash dhe ju e keni përsëritur disa herë që gjithçka që kemi sot këtu do të ndërlidhet edhe me Smart City, pra me programin e madh që ne jemi duke implementuar dhe do të bëjë një lidhje të rrjetit rrugor shqiptar me gjithë pjesën tjetër të monitorimit brenda qyteteve. Kemi të vendosur brenda kësaj ndërtese 74 nga 122 punonjësit. 74 janë të vendosur këtu brenda, që janë operatorët e monitorimit dhe 55 i kemi të vendosur nëpër qendrat e autostradave, aty ku do të fillojë edhe lëvizja me pagesë. Ndërkohë që këtu kemi edhe 26 operatorë të policisë së shtetit.” – shpjegoi zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku shpjegoi ndër të tjera se “Ekzistenca e Qendrës do të bëjë që të ketë gjithmonë e më pak nevojë për prezencë fizike në terren të monitorimit të autostradave dhe ndërhyrja do të bëhet për shkak të bashkërendimit që ndodh brenda kësaj salle. Pra, njësitë e policisë rrugore do të njoftohen nga salla për të ndërhyrë në raste kur kemi automjete me shpejtësi të lartë, ndërkohë që gjithçka menaxhohet nga këtu ku jemi. Katër njësitë e vendosura këtu është Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, Emergjenca Civile, edhe Urgjenca Kombëtare.”
Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se me ngritjen e kësaj Qendre nis një kapitull i ri në historinë e administrimit të territorit dhe të asistencës për qytetarët në të gjitha nivelet.
“Sot merr rrugë një kapitull i ri në historinë e administrimit të territorit, edhe në historinë e asistencës për qytetarët në të gjitha nivelet. Në nivelin e sigurisë rrugore, në nivelin e urgjencës mjekësore, në nivelin e emergjencave civile dhe është një detyrim i madh që do ta shoqërojmë me një reformë, ku të gjitha urgjencat dhe të gjitha thirrjet dhe të gjithë këto drejtime të janë të unifikuara. Kjo është ajo që na duhet, ndërkohë që gjithë kjo qendër moderne e monitorimit do të mbështetet nga sistemi i qyteteve të zgjuar ose Smart City me rrjetin e kamerave inteligjente dhe inteligjencën artificiale që do të bëjnë të mundur që në kohë reale të mblidhet i gjithë informacioni në çdo metër, jo në çdo kilometër, për të gjitha natyrat e programatikeve dhe më në fund të largohet edhe policia nga pritat në rrugë. Por ama të jetë e gatshme në çdo moment që me sinjalizimin e këtij inspektori virtual të vihet në lëvizje.” – u shpreh ai.
/rtsh.al/