E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligj për statusin e punonjësit social

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale do të kryejnë praktikat profesionale pranë Ministrisë së Punës. Kjo falë marrëveshjes së nënshkruar me këtë Fakultet. Gjithashtu është ndërmarrë iniciativa për hartimin e një projektligji Për statusin e punonjësit social. Gjithçka u bë me dije dje, gjatë takimit të zhvilluar me studentë e pedagogë me rastin e Ditës ndërkombëtare të punës sociale. Ky sistem ka rinovuar ndjeshëm numrin e punonjësve, të cilët kanë formim social akademik dhe në 90% të institucioneve tona roli i punonjësit social dhe psikologut është vlerësuar si parësor e thelbësor dhe punësimi i tyre ka pasur prioritet primar, tha Ksera. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që shërbimet sociale të kuptohen nga studentët dhe pedagogët jo vetëm si punësim apo vend pune, por edhe si një mundësi për të ofruar shërbim vullnetar primar. Në takim morën pjesë edhe deputetja e Partisë Socialiste dhe anëtare e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, njëherësh edhe pedagoge pranë këtij Fakulteti znj. Eglantina Gjermeni, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale z.Theodhori Karai, shefi i Departamentit të Punës Sociale – z. Edmond Dragoti.

Spital për të burgosurit me probleme mendore

Vasili e Halimi

Një spital i posaçëm për trajtimin e të dënuarve që kanë probleme mendore. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe ai i Shëndetësisë, Petrit Vasili, nënshkruan dje një dokument bashkëpunimi, që u hap rrugë procedurave për ngritjen e godinës së re.Objektivat e materializuara për tu realizuar janë dhe ato në përputhje jo vetëm me standardet e të drejtës ndërkombëtare, por dhe me standardet më të mira të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lidhur me trajtimin e të sëmurëve që kanë kryer vepra penale dhe kanë probleme të shëndetit mendor dhe i gjithë projekti ynë do të respektojë këto standarde, tha Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë. Për 3 muaj, ekspertët do të përcaktojnë vendin ku do të ndërtohet spitali si dhe fondet për investimin. Aktualisht janë rreth 80 persona të dënuar, që kanë probleme të rënda të shëndetit mendor. Me vendim gjykate, ata duhet të qëndrojnë në një spital të posaçëm për kujdes të vazhdueshëm dhe jo në burg. E drejta themelore e individit mbi trajtimin njerëzor dhe me dinjitet është një e drejtë e padelegueshme, e pakufizueshme, e patjetërsueshme në çdo rrethanë, pavarësisht veprimit të kundërligjshëm që një person mund të ketë kryer. Në kapacitetin e këtij institucioni janë rreth 80 persona, të cilët gjenden në këtë institucion. Në çdo institucion paraburgimi dhe burgu ka një personel të caktuar, qoftë psikiatër, qoftë sociolog, tha Eduard Halimi, ministër i Drejtësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›