E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet Don Zhuani

Vritet nje emigrant baba i dy femijeve. Dyshohet se kishte shume lidhje jashte-martesore

KOLONJË - Një emigrant shqiptar që kishte ardhur në vendlindje për Pashkët, mbeti orët e para të mëngjesit të djeshëm peng i një vrasjeje misterioze me kallashnikov, ndërsa udhëtonte nga Korça në drejtim të fshatit të tij me një shokun e tij, i cili është i dyshuari kryesor i ngjarjes. Sipas policisë, viktima Mehdi Laho, 49 vjeç, mund të jetë vrarë për dy arsye: për përfshirjen e tij në shumë marrëdhënie jashtë martesore, e fundit prej së cilave me një vajzë tepër të re, si edhe për pjesëmarrjen në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas policisë, dëshmitari i vetëm okular i ekzekutimit mafioz ishte një bashkëfshatar i tij 26-vjeçar, i cili e çoi viktimën në spital dhe u largua pa lënë gjurmë, për t’u ndaluar më pas nga policia.

Ngjarja

Mësohet se Mehdi Laho ndodhej në qytetin e Korçës, së bashku me një bashkëfshatarin e tij 26-vjeçar, edhe ky emigrant në Greqi, ndërsa vendosën të kthehen në fshatin e tyre gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Krimi ndodhi në Qafën e Qarrit, në një rrugë të rrezikshme, ndërsa zjarri i kallashnikovit i mori jetën babait të dy fëmijëve, i cili në gjendjen civile e kishte ndërruar emrin, duke e kthyer në Spiro Kristo. Një gjuajtje me katër fishekë e la të vdekur në vend viktimën, ndërkohë që shpëtoi nga ky ekzekutim shoqëruesi i viktimës, 26-vjeçari, i cili ishte gjatë gjithë ditës me të. Në fakt, ky i fundit nuk ka menduar të njoftojë as policinë, por e transportoi atë në spitalin e Korçës, nga ku tentoi më pas të largohej në mënyrë klandestine. Ishin pikërisht forcat e policisë, të cilat të njoftuara nga vetë bluzat e bardha për mbërritjen në spital të një personi të vdekur, ndaluan të riun dhe e shoqëruan atë në polici. Policia e juglindjes i është futur punës të zbardhë një krim, ndërsa dy janë dhe pistat e saj për këtë ngjarje. Sipas burimeve të gazetës, ekzekutimi mund të jetë bërë për pazare të trafikut të drogës, ku edhe disa të afërm të Mehdi Lahos, që në shtetin grek njihej me emrin Spiro Kristo, janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në itinerarin Greqi-Shqipëri, ndërkohë që pista tjetër mund të jetë ajo e xhelozisë. Viktima sipas policisë njihej si një aventurier dhe marrëdhëniet dashurore jashtë martesore të tij ishin të shpeshta. Madje, lidhja me një vajzë 18-vjeçare është një pistë ku po hetohet seriozisht. Megjithatë, duket se pika kyçe e hetimeve është bashkëfshatari 26-vjeçar i viktimës, i cili ishte personi i vetëm dhe i fundit që ishte shoqëruar me Lahon gjatë orëve të fundit para krimit. Sipas hetimeve të policisë, 26-vjeçari duket ta ketë “çuar” viktimën në një takim “sqarues” me disa persona, gjithashtu të dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës, ndërsa mendohet se shkrepja e armës të jetë aksidentale. Sipas policisë, në këtë konkluzion është dalë pas ekspertizës së vendit të ngjarjes. Policia dyshimet kryesore i ka tek 26-vjeçari, ndërkohë që dhe deklaratat e tij para bluve janë kontradiktore dhe mjaft konfuze. Versioni i tij për krimin është i ndryshëm, ndërsa ai ka shpjeguar se iu është ndaluar mjeti nga disa persona të armatosur, që kanë qëlluar në drejtim të tyre dhe ku ka mbetur i vdekur sipas tij, Mehdi Laho. Në fakt, 26-vjeçari nga Starja e Kolonjës nuk ka marrë asnjë gërvishtje, ndërsa dyshohet që ai të jetë ekzekutori kryesor, ose njeriu që ka çuar në kurth viktimën, motivet e së cilës mbeten të paqarta për policinë. Gjithsesi, mes shumë të dyshuarve janë dhe 9 persona të tjerë nga fshati Starje në Kolonjë, deklaratat e së cilëve pritet të hedhin dritë mbi jetën dhe misteret e 49-vjeçarit emigrant, babai i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, i cili jetonte bashkë me familjen e tij në kryeqytetin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›