E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD show

Kryegjyqtarët flasin për seksin, korrupsionin, librat. Mbledhja maratonë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të zgjedhur krerët e rinj të 9 gjykatave në rrethe, pati momente shumë emocionuese.

TIRANË - Mund të zgjidhen kryegjyqtarë, por mund të flasin edhe për seksin, korrupsionin, paaftësinë e librat... Gati-gati një “show” i vërtetë, që të pranishmit nuk do ta harrojnë mbase për shumë kohë, ishte mbledhja e parë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimin e 9 krerëve të rinj të gjykatave. Shumë “petë lakrori” që u hapën publikisht, sollën “emocione” jo vetëm mes 29 kandidatëve për krerë gjykatash nëpër rrethe, të cilët dje bënë publike platformat e tyre, por dhe mes dhjetëra të pranishmëve të tjerë që ishin në njërën prej sallave të hotel “Tirana International”.

Anëtarët e Gjykatës së Krujës padyshim që në mbledhjen e djeshme dolën “kampionët” e letrave anonim, ndërkohë që gustoja letrare e kandidatëve për kryetar të Gjykatës së Apelit në Korçë duket se nuk ka lënë shije të mirë te krerët e KLD-së.

Xhungël “kryegjyqtarësh”

Nga një frymë “ndryshe” dhe disi larg zyrtares së zakonshme është karakterizuar thuajse gjithë mbledhja e djeshme e KLD-së, ku 29 kandidatë për kryetarë gjykate nga 9 gjykata të ndryshme kanë shpalosur platformat e tyre në fushatën për vendet vakante pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të krerëve të 22 gjykatave. Por më shumë se idetë e reja në drejtimin e gjykatave që kandidatët për disa orë shpalosën, ministri i Drejtësisë dhe zëvendëskryetari i KLD-së janë përqendruar kryesisht mbi transparencën personale të kandidatëve. Por në këtë pikë, me ose pa dashje kanë dalë në shesh të lara e të palara, që vetë kandidatët kishin bërë për njëri-tjetrin. Shembulli më tipik, sipas zëvendëskryetarit të KLD-së, ishte Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, ku kandidojnë katër gjyqtare të kësaj gjykate. Sipas Spahiut, nga kjo gjykatë që nga momenti i shpalljes së vendit të kryetarit vakant, në KLD kanë mbërritur me dhjetëra letra anonime, ku nënshkrimet në fund të letrave mbanin firmën e kandidatëve për kryetarë gjykate. Duke anashkaluar leximin e plotë të letrave, Spahiu u përqendrua mbi dy letra, që flisnin njëra për korrupsion dhe tjetra për sjellje imorale në orarin e punës. Në bërjen publike të këtyre dy letrave nuk munguan as situatat e sikletshme, madje as lotët, kur zëvendëskryetari i kërkoi gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxhës, të verifikonte firmën e saj mbi një letër që i adresohej KLD-së dhe akuzohej për korrupsion nga kryetarja aktuale Ardiana Bera. Por më e rëndë ishte situata, kur në letrën e dytë anonime, akuzohej për imoralitet në ambientet e punës gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Kjo letër sipas Spahiut, i është dërguar Presidentit të Republikës, njëherësh dhe kryetari i KLD-së, me nënshkrimin e kryetares Ardiana Bera, e cila nga ana e saj e mohoi kategorikisht një gjë të tillë dhe kërkoi vënien para përgjegjësisë të personave që kanë bërë një gjë të tillë.

E të tjera, e të tjera...

Me gjithë situatat e pakëndshme që karakterizuan një pjesë të mbledhjes, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjeti kohën t’u bëjë një “test inteligjence” kandidatëve për kryetarë të Gjykatës së Apelit Korçë. Një ndër pyetjet që mbizotëroi pas prezantimit të platformave ishte: Cili është libri artistik i fundit që keni lexuar? Për çudi, përgjigjet ishin “40 atentatet e Hitlerit” dhe “Kodi i Da Vinçit”, edhe pse ky libër ka dalë në qarkullim të paktën tre vjet më parë. Por edhe pse u kthye në humor, gjatë mbledhjes së djeshme doli një e vërtetë e hidhur për gjyqtarët e Kavajës. Një pyetje e sugjeruar nga salla për zëvendëskryetarin e KLD-së, tregoi se Gjyqtarët e Kavajës, duke tejkaluar çdo lloj kompetence, kanë realizuar seanca gjyqësore në burgun e Rrogozhinës. Një gjë e tillë u pranua në një farë mënyre nga kandidatët për kryetarë të Gjykatës së Kavajës, të cilët thanë se kjo gjë është bërë në raste të rralla.

“Fotokopje”

Asgjë për t’u shënuar në platformat e kandidatëve, të cilët duke “kopjuar” njëri-tjetrin, thanë se menaxhimi i buxhetit dhe hedhja e shortit janë dy pikat që do përmirësojnë nëse iu jepet rasti të jenë në krye të gjykatave. Në përfundim të votimit, pasditen e djeshme Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të përzgjedhë krerët e gjykatave.

Në përfundim të analizës së platformave, KLD-ja vendosi të shpallë fitues Petrit Cenon për kryetar të Gjykatës së Apelit Durrës, i cili triumfoi mbi kandidatin tjetër, Bashkim Dedja. Në krye të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, KLD vendosi të zgjedhë Maria Qiriazin, e cila në muajin dhjetor ishte kandidate për anëtare në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në krye të Gjykatës së Apelit Korçë, KLD përzgjodhi kandidaturën e Entela Priftit, ndërsa në Shkodër kryetar u zgjodh Fatmir Hoxha. Në bazë të të njëjtave kritere, KLD përzgjodhi edhe krerët e Gjykatave të Rretheve Gjyqësor Berat, që do të jetë Bernina Kondi, atë të Elbasanit, që do të drejtohet nga Arben Vrioni, Gjykatës së Gjirokastër që do të ketë në krye Desart Avdulaj, në Kavajë u caktua Astrit Haxhialushi dhe në Krujë kryegjyqtare do të jetë Rexhina Merlika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›