Helmim masiv, në spital 70 persona

Lëndë kimike në drekën e mortit. Helmatisja masive ndodhi në ceremoninë mortore të një 30-vjeçari të vdekur në Itali
FUSHË-KRUJË - Lëndë kimike ose bakteriologjike dyshohet të kenë shkaktuar helmatisjen e jo pak, por 70 të afërmve dhe të miqve e familjes Tema, që ishin mbledhur dje në drekën mortore të 30-vjeçarit Sabah Tema, i cili gjeti vdekjen pak ditë më parë në një aksident në Itali. Ngjarja ndodhi dje pas mesditës në një nga lokalet e Fushë-Krujës, rreth 20 km larg Tiranës. Burime zyrtare të policisë së Durrësit bënë të ditur se “qytetarët e helmuar ishin mbledhur rreth orës 13:00 në një drekë mortore, të cilën e organizonte familja Tema nga fshati Arameras (pranë Fushë-Krujës)”. Për këtë qëllim, familja Tema kishte zgjedhur lokalin në pronësi të Afrim Vathit, që ndodhet në afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës. Nga 150 personat e pranishëm në drekën mortore, rreth 70 prej tyre shfaqën shenja helmimi menjëherë pasi filluan të hanin pjatën e dytë të servirur, që ka qenë mish me lëng dhe patate. Rreth 30 minuta pas fillimit të drekës nisi dhe shfaqja e shenjave të para të përkeqësimit shëndetësor të të pranishmëve. Fillimisht, me makinat e tyre private një pjesë e tyre u nisën drejt ambulancës së Fushë-Krujës. Sipas mjekut të rojës të kësaj poliklinike, Bashkim Xhafa, pacientët kishin të vjella, hipertension dhe djersitje. “Numri i pacientëve ishte shumë i madh dhe për pasojë kam kërkuar ndihmën e spitalit të Krujës, që më ka dërguar edhe një autoambulancë në dispozicion, si dhe ilaçe. Fluksi i madh i pacientëve më ka detyruar që të mos regjistroj të gjithë të sëmurët, pasi sapo vinin, ata kishin të njëjtat shenja dhe gjendja e rëndë e tyre na detyroi që t’u japim ndihmën e shpejtë në ambulancë, madje edhe në makinat private dhe më pas t’i nisnim për në spitalin e Krujës dhe Tiranës. Forcat e policisë dhe ato të qarkullimit rrugor të qarkut të Durrësit sapo u njoftuan për këtë ngjarje, morën masa për lehtësimin e transportimit të personave të dëmtuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës dhe spitaleve të tjera të zonës. Burimet thanë se 50 prej personave të helmuar u dërguan në Spitalin Ushtarak, ndërsa 20 të tjerët në spitalet e Krujës, Fushë-Krujës dhe Laçit. Mësohet se të gjithë të helmatisurit, 70 për qind e të cilëve janë nga fshati Arameras, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Prokuroria e Rrethit të Krujës dhe forcat e policisë po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe shkaqet e helmimit masiv ushqimor. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur dy ekipe pune për të zbardhur shkaqet e helmimit të dhjetëra personave që drekonin në lokalin e Afrim Vathit pranë Fushë- Krujës. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, tha dje për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se “një nga ekipet që ndodhet në vendngjarje po merr për analizë mostra të ushqimit, ndërsa grupi tjetër i specialistëve ndodhet në Spitalin Ushtarak, aty ku u dërguan disa prej të helmuarve. Nga të dhënat paraprake, - vijoi Bejtja, - grupi i inspektorëve supozon se shkaku i helmimit mund të ketë qenë nga lëndë kimike ose bakteriale.