Topi, keqardhje për ndryshimet

Presidenti Bamir Topi vlerësoi se ndryshimet kushtetuese të ndërmarra nga forcat politike në vend nuk janë bërë siç dhet, pa këshillime me ekspertizë të nevojshme dhe me nxitim. Duke kritikuar shpejtësinë e këtyre ndryshimeve, presidenti Topi tha se “askush nuk është kundër përshtatjes së Kushtetutës me nevojën e reformave, por në këtë drejtim duhet të vlerësohet shpejtësia dhe maturia me të cilën ecën ky proces, pasi Kushtetuta nuk është një ligj i thjeshtë”. I pyetur në lidhje me paketën e ndryshimeve kushtetuese, para se ato të miratoheshin në Parlament, ai tha se presidenti është garant i Kushtetutës, por nuk duhet të interferojë në debatin politik. “Presidenti është garanti institucional dhe moral i dokumentit themeltar të shtetit, që është Kushtetuta, ndaj i vetmi prononcim ka qenë pikërisht lidhur me kujdesin që duhet të kenë partitë politike, që procesi i prekjes së Kushtetutës t’i nënshtrohet një dialogu të gjerë dhe një konsultimi me konstitucionalistë”, ka thënë Topi pas interesimit të mediave. Ai tha se çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e presidentit, pasi elementi thelbësor i këtyre ndryshimeve është reforma zgjedhore. Ai theksoi se nevoja e reformave sjell edhe ndryshimet në Kushtetutë dhe askush nuk duhet ta kundërshtojë këtë, por sipas tij, shpejtësia dhe maturia që kanë të bëjnë me procesin duhet të vlerësohet. Kjo deklaratë e presidentit Topi erdhi pas interesimit të mediave gjatë konferencës së përbashkët me presidentin kroat Stipe Mesiç. Por, Topi duke theksuar se presidenti është garanti institucional dhe i dokumentit themeltar të shtetit që është Kushtetuta, vërejti një tjetër çështje të ndryshimeve kushtetuese, ajo e mocionit të besimit dhe mosbesimit për kryeministrin. “Nuk mund të paragjykoj dhe nuk dëshiroj të shprehem në mënyrë absolute sesi do të jetë rrjedha e ngjarjeve në Kuvend. Unë i qëndroj konstant interpretimit që ka të bëjë me pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ritheksoi dje domosdoshmërinë e dialogut e konsultimit të gjerë lidhur me ndryshimet kushtetuese”-tha ai.