E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet i treti i familjes Curri, 4 plumba 19-vjeçarit

Mario Curri u qëllua në mes të ditës, ndërkohë që asnjë nga të pranishmit nuk ka mundur të japë detaje për autorët e vrasjes


DURRËS - Një vrasje tipike mafioze ka ndodhur në mes të qytetit te Durrësit, duke lënë të vdekur në vend një 19-vjeçar, pinjoll të fisit të fortë Curri, të cilët me ketë vrasje kanë pësuar goditjen e tretë brenda të njëjtit vit, goditje e dhënë në pjesën më të "butë" të tyre, në atë brez të painkriminuar dhe që kishin demonstruar cilësi qytetare.


Atentati ndaj të riut Mario Luan Curri është bërë në mes të ditës dhe në një nga vendet më të populluara të këtij qyteti, ndërkohë që viktima ka qenë duke ecur në këmbë në një trotuar në afërsi të sheshit të autobusëve ku nisen furgonët e linjave të Tiranës.


Viktima është qëlluar 4 herë me pistoletë të tipit TT model 54 dhe sipas ekzaminimeve të ekspertëve mjeko-ligjore nga të katër goditjet e dhëna, plaga e qëlluar pas koke në rajonin e pas veshit, ka qenë ajo që i ka shkatuar edhe vdekjen.


Megjithatë nisur nga pozicioni fillestar i goditjes me atë të fillimit të ngrirjes së trupit të viktimës, ai duhet të ketë pasur edhe disa spazma pak minutëshe derisa ka ndërruar jetë, sepse kur është transportuar me autoambulancë, me heqjen e mbulesës së përgjakur që i është hedhur fillimisht ai kishte ndërruar pozicion disi.


Ai është qëlluar pa mëshirë dhe të gjitha pistat e mundshme janë ato të një hakmarrjeje për të cilat viktima nuk ka qenë fajtor i drejtpërdrejtë, sepse ai kishte lindur dhe banonte në Itali. Atij i qe vrarë i ati para pak kohësh dhe pasi kishte varrosur të atin Luanin dhe kushëririn Ani Currin 17-vjeçar ishte rikthyer në Itali dhe pasi ka ardhur në Durres priste të rikthehej atje ku banonte.


Vrasja


I riu 19-vjeçar ka qëndruar në një lokal në afërsi të Muzeut të Dëshmoreve dhe atje ka konsumuar një kafe. Më pas rreth orës 14:00 ka lënë lokalin dhe është nisur drejt sheshit "Pranvera", dëshmuan për "Shekullin" disa djem të lagjes që e njihnin dhe që thanë për të se ka pasur cilësi të mira, vetëm se kishte filluar që të nervozohej shumë pas vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur në lokalin e Currëve si dhe pas arrestimit të të vëllait 17-vjeçar për vrasjen e të riut Klejdi Myzyri.


Kur ka kaluar pjesën e hapur të sheshit dhe e kishte të kufizuar mundësinë e shmangies nga plumbat e vrasësit që e ndiqte pas në distancë, autori i është afruar viktimës dhe e ka qëlluar në rrëzë të veshit nga pjesa e pasme kur viktima nuk e kishte pikasur. Pasi ka rënë ai e ka parë të binte dhe ka qëlluar edhe 4 herë të tjera nga të cilat viktima ka marrë në trup edhe 3 predha: 2 në vithe dhe një në kofshë.


Ekspertet që kanë marrë pjesë në autopsinë e viktimës kanë deklaruar se vdekja e tij ka ardhur si rezultat i plagës së marrë në kokë. Pas goditjes së dhënë shpejt e shpejt me armë, autori ka përfituar nga rrëmuja dhe paniku i personave në afërsi dhe është larguar në këmbë. Shumë njerez që janë shoqëruar, kanë dhënë tipare të turbullta të identikitit të tij, pasi ngjarja ka qenë e papritur dhe vrasja tronditëse.


Hetimi


Familja Curri me këtë vrasje të të riut emigrant ka humbur brenda këtij viti 3 anëtarë, ndërsa deri më tani policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e dy krimeve që kanë marrë jetën e katër personave në shtatë muaj. Policia ka bërë të ditur se viktima quhet Mario Curri i moshës 19 vjeç dhe se ai është emigrant i porsakthyer nga Italia. Vikima është i lindur në qytetin Arianos Irpino në Itali dhe banues në lagjen numër 9 në qytetin e Durrësit.


Autorët e krimit mendohet se mund të kenë pasur edhe ndonjë person shoqërues në distancë, kanë mundur të largohen pa u identifikuar, ndërkohë që mësohet se vrasja është kryer nga persona të pamaskuar dhe se kanë qenë së paku dy persona bashkëpunëtorë. Ata janë larguar në këmbë në një rrugicë lagjeje në anën tjetër të trotuarit duke mundur të humbin gjurmë.


Vrasja ka ndodhur në trotuarin e rrugës më të ngarkuar në qytetin e Durrësit, por nga plumbat nuk ka marrë askush lëndime. Të parët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes efektivat e policisë së qarkullimit rrugor dhe pas tyre edhe ata të rendit.


Vrasjet në familje


Rreth orës 23:00 të datës 27 janar të këtij viti, në një lokal të Durrësit mbetën të vrarë pas ekzekutimit me armë Luan dhe Ani Curri, si dhe inxhinieri Edmond Shemsi. Më pas u mësua se shënjestër e kësaj vrasjeje ishte pikërisht Luan Curri, ndërkohë që u dyshua se Ani Curri dhe Edmond Shemsi ishin viktima të të qenit në një tavolinë me objektivin. Vetëm pak ditë më pas, bazuar në shenjat e gishtërinjve, nga ana e policisë së Vlorës u vu në pranga shtetasi Arjan (Erjon) Çela.


Ky i fundit u dyshua si vrasës me pagesë edhe për faktin se nuk kishte asnjë lidhje me viktimat. Ndërkohë, nga ana e policisë u deklarua se Çela ishte i dënuar më parë në shtetin italian për trafik droge, prostitucion, si dhe ishte i dyshuar për një vrasje. Gjithsesi, dyshimet nuk kishin mundur të vërtetoheshin. Në shkurt nga ana e Gjykatës së Durrësit u vendos lënia në qeli e Çelës, si i dyshuar për vrasjen e trefishtë, ndërsa hetimet vijonin.


Më 28 shkurt, vetëm një muaj pas ekzekutimit të të atit, 17-vjeçari Isid Curri përfshihet në një grindje ku mbetet i vrarë bashkëmoshatari i tij Klejdi Myzyri, ndërsa plagoset Ergys Çelepia.


Në momentin që u paraqit para togave të zeza adoleshenti deklaroi se ai kishte qëlluar mbi të plagosurin dhe jo mbi viktimën. Gjithsesi nga ana e gjykatës u vendos që djaloshi të qëndronte në burg për një muaj e më tej të rivlerësohej masa e sigurisë.


Si në rastin e vrasjes së ndodhur në janar edhe krimi i ndodhur dje në mesditë tek stacioni i furgonëve të linjës për në Tiranë, kanë mbetur pa autorë. Veçse ndryshe nga i ati Mario Curri u vra në mes të ditës dhe në vendin më të populluar me mjete e kalimtarë.


Policia


Policia pas vrasjes se të riut 19-vjeçar njoftoi: "Më daten 12.08.2010, ora 14:26 ne vendin e quajtur "Sheshi Pranvera" në lagjen nr.11 Durrës dhe konkretisht në afërsi të stacionit të furgonëve Durrës-Tiranë, në trotuar, nga një person ende i paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi Mario Luan Curri, 19 vjeç, lindur në qytetin e Arianos Irpino në Itali dhe banues në lagjen Nr.9, Durrës, me arsim 8 klasë, me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, me shtetësi e kombësi shqiptare".


Policia konfirmon se nga hetimet paraprake të zhvilluara ka rezultuar se vrasja është kryer me armë zjarri pistoletë nga një person ende i paidentifikuar, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë duke iu shmangur hetimit.


Lidhur me zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë angazhuar specialistë të hetimit të krimeve ndaj Jetës e Lirisë së Personit në Sektorin Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, të cilët po punojnë në disa pista me qëllim zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorit. Vazhdon puna me intensitet në drejtim të sqarimit të rrethanava të plota të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›