E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti i gurtë zhduket nën retë e tymit

ZJARRI/ Plehrave të Gjirokastrës u është vënë zjarri përgjatë orëve të natës, ndërsa ndotja ka arritur në pikën që njerëzit nuk mund të lëviznin nga banesat. Deri më tani, asnjë përgjegjës


GJIROKASTËR- Gjirokastra "asfiksohet" nga smogu. Për më shumë se 12 orë retë e tymit të përhapur nga djegia e mbetjeve urbane kanë mbajtur të mbuluar gjithë qytetin, ndërsa dëmi mjedisor është shumë i madh.


Plehrat ndërkohë vazhdojnë të çlirojnë tym, që janë të detyruar ta thithin banorët. Burimet nga policia bënë të ditur se një fëmijë 3-vjeçar rrezikoi djegien nga zjarri, ndërkohë që babai i tij po mblidhte kanaçe në grumbullin e plehrave të përfshira nga flakët.


Ndërkohë, nga ana e drejtorisë së Mjedisit apo banorëve të qytetit të gurtë, pavarësisht fjalëve të thëna, nuk ka asnjë denoncim për ndotjen në mënyrë që policia të fillojë hetimet për përgjegjësit e zjarrvënies.


Djegia e mbeturinave


Të grumbulluara në përroin e Kodrës së Shtufit, jo shumë larg zonës së banuar, mbetjet urbane të qytetit të Gjirokastrës janë djegur, një fenomen ky i njohur për komunitetin, pasi ndodh vit pas viti. Askush nuk konfirmon me siguri se kush është fajtor për vendosjen e zjarrit.


Megjithë ndërhyrjen e repartit zjarrfikës për shuarjen e flakëve, retë e smogut janë përhapur me shpejtësi dhe e kanë mbuluar ajrin përgjatë gjithë natës dhe ditën e së enjtes, ndërkohë që të paktën deri në mesditë ka qenë tepër e vështirë të lëvizje nëpër rrugë për shkak të asfiksisë që krijonte tymi.


Edhe pse të gjitha lagjet e qytetit kanë qenë të mbuluara nga tymi, ndotja më e madhe ka qenë në lagjen "18 Shtatori", lagjja më e madhe, për shkak edhe të vendosjes së saj. Informacionet e marra pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se nuk ka asnjë denoncim nga pushteti lokal në lidhje me këtë zjarrvënie mjaft të dëmshme për komunitetin e 35 mijë banorëve të qytetit, por edhe të zonave përreth, që e kanë ndier ndotjen.


Ndërsa, specialistët mjedisorë e kanë cilësuar si mjaft alarmante situatën e krijuar për shkak të djegies së plehrave. Sipas drejtorit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Asqeri Buzheri, ndotja e krijuar është mjaft e lartë. "Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ajër të ndotur, por me smog.


Niveli i ndotjes për shkak të fenomenit të djegies së mbetjeve urbane është shumë më i lartë sesa normat e lejuara dhe ndaj bashkisë së qytetit do të aplikohen masat administrative", është shprehur Buzheri, duke nënkuptuar kështu që nuk do të ketë asnjë denoncim për gjetjen e personave përgjegjës për zjarrvënien.


Ndërkohë, edhe përfaqësues të OSBE-së kanë reaguar për ndotjen e krijuar për shkak të djegies së plehrave, duke marrë parasysh që Gjirokastra është një qytet i mbrojtur nga UNESCO.


Precedenti


Deri para pak vitesh, Gjirokastra përballej thuajse çdo ditë me një situatë të tillë, duke qenë se veçanërisht gjatë verës mbeturinat urbane hidheshin në vendin e paracaktuar nga bashkia, i quajtur Bibo, pranë lumit Drino, vetëm 2 km larg qytetit.


Në atë kohë, niveli i ndotjes së ajrit në qytet përllogaritej në rreth 4 herë më i lartë se parametrat e lejuar.


Me zhvendosjen e vendit të grumbullimit të mbetjeve, për shkak të ndotjes së madhe të florës e faunës së lumit, drejt përroit, mbi qytetin e Gjirokastrës, ky fenomen duket se u zbeh, deri në mbrëmjen e së mërkurës, kur shtëllungat e tymit mbuluan gjithë zonën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›