Topalli kërkon qetësi, zbraz plazhin nga pushuesit
VLORË/ Kryeparlamentarja po kalon pushimet pranë zonës së Ujit të Ftohtë, në Vilën e Mehmetit, tashmë të restauruar
VLORË - Mbërritja në Vlorë e Jozefina Topallit nuk ka kaluar pa u marrë vesh nga pothuajse të gjithë personat që pushojnë në këtë qytet dhe po ashtu nga banorët e saj. Mësohet se kryetarja e parlamentit ka mbërritur në qytetin bregdetar bashkë me anëtarë të familjes së saj, ku bën pjesë edhe dhëndri Luiz Ejlli.
Pushues në këtë qytet bëjnë të ditur se Topalli ka zgjedhur për të pushuar zonën e vilave, e pikërisht atë të Vilës së Mehmetit.
Por ajo çka ka bërë që emri i kryeparlamentares të pëshpëritet, madje me frikë nëpër qytet ka qenë momenti në të cilin pushues pranë zonës së vilave kanë parë të gjithë pushuesit e zonës së rezidencës qeveritare të zhvendoseshin në plazhin ku ndodheshin ata.
"Kryetarja e parlamentit siç duket dëshironte që ta kishte të gjithë plazhin për vete, sepse menjëherë pasi ajo zbriti me fuoristradën e vet nga vila e Mehmetit, ku edhe po qëndron me familjen, të gjithë ata që ndodheshin duke bërë plazh në zonën e vilave, që janë punonjës të administratës, u zhvendosën me gjithë rrecka për në plazhin privat ku ndodheshim ne",- rrëfen njëri nga pushuesit që ka parë veprimet e truprojave të kryetares së parlamentit. Sipas tij, Topalli ndodhej në vilë bashkë me familjen e saj, përfshirë këtu edhe dhëndrin e vet Luiz Ejlli.
Kryeparlamentarja mësohet se po i kalon pushimet në zonën e vilave, tashmë e cilësuar si rezidencë qeveritare. "Ende nuk e kuptoj se pse duhet të sillej ashtu me personat që pushonin, - vijon rrëfyesi. - Plazhi në zonën e vilave mund të mbajë edhe 1000 pushues".
Ai rrëfen se menjëherë më pas, një person i armatosur ka qëndruar në ndarjen mes dy plazheve, në mënyrë që atyre që ishin më parë duke pushuar, të mos u jepej mundësia të riktheheshin.
Mësohet se kryeparlamentarja po i kalon pushimet në këtë zonë prej disa ditësh.
"E shohim në daljet në ballkon", thonë pushuesit, teksa vijojnë se Vila e Mehmetit, e cila deri më tani ka qenë në rikonstruksion, tashmë ka përfunduar punimet, duke bërë të mundur që kryetarja e parlamentit të qëndrojë e qetë bashkë me familjen.
E si për t'u siguruar për këtë qetësi, asnjë nga lokalet e natës nuk ka guxuar të thyejë rregullin e orës 24:00, kur duhet të ulet zëri i muzikës.
"Javën e kaluar, një nga diskot verore ishte mbushur plot. Të rinjtë e frekuentojnë edhe për faktin se është larg banesave dhe si rrjedhojë mundësia për të ardhur policia dhe për t'i ulur zërin duhet të jetë zero, pasi nuk shqetëson banorët. Por kur shkoi ora 00:00 aty mbërriti furgoni i policisë dhe absolutisht nuk e lejoi më ngritjen e muzikës.
Njerëzit pritën deri në orën 01:00, por u thanë se për pushime në Vlorë kishte ardhur kryetarja e parlamentit e si rrjedhojë të mos shpresonin në ngritjen e muzikës, pasi një gjë e tillë nuk do të ndodhte.
As nuk e kuptuam se ku shqetësohej Xhozi nga muzika e një lokali që ndodhet larg zonave të banuara", tregon e nevrikosur një pushuese në Vlorë, duke pëshpëritur nën zë, se imagjino ç'do të ndodhte nëse një grua e tillë do të kishte më shumë në dorë.