Ekzekutohet me armë zjarri 58-vjeçari në Vlorë, u qëllua nga një distancë e afërt

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (27 prill) në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë, ku një 58-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si R. Hoxhaj, 58 vjeç, i cili punonte si roje në një objekt ndërtimi pranë banesës së tij. Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, dhe se dyshohet se 58-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt.
58-vjeçari punonte si roje në një objekt në ndërtim, pranë banesës së tij, ndërsa trupi i tij është gjetur pa shenja jete në rrugë.
“Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi R. H., 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij”, njofton policia.
Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës dhe janë duke analizuar pamjet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe një tjetër në trup.
Pas ngjarjes, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, si dhe drejtuesit e policisë së Qarkut Vlorë, përfaqësues të OPGJ dhe hetuesit e krimit. Po ashtu, është ngritur një grup hetimor për zbardhjen e motiveve të krimit dhe identifikimin e autorit ose autorëve të tij.
/rtsh.al/